E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alkooli, 20% e të rinjve mbi 15 vjeç konsum tej mase

 

zirina llambro

Një strategji 6-vjeçare për të reduktuar dëmet nga alkooli në shoqërinë tonë. Draft-dokumenti u prezantua dje në komisionin parlamentar të shëndetësisë. Veç objektivave, në të jepet një panoramë e situatës aktuale. Janë më shumë se 340 mijë persona që konsumojnë pije të ndryshme alkoolike, por shifrat janë rritur ndjeshëm edhe te të miturit. ”Në metropolin e Tiranës, 20% e konsumatorëve mbi 15 vjeç përdorin alkool mbi kufirin e pirjes së arsyeshme”, thuhet në strategji. Ndërkaq 2.1 e popullsisë ka vartësi alkoolike. Problematik e shkak për aksidentet mbetet konsumi i pijeve nga drejtuesit e automjeteve. Rreth 16% e tyre e përdorin çdo ditë. ”Konsumi vjetor i alkoolit për person në Shqipëri, për popullsinë mbi 15 vjeç, është 3 litra alkool puro”, sqarojnë hartuesit e strategjisë. Sipas tyre, rreth 9% e sëmundjeve kronike kanë si shkak pirjen me tepri. Këtu dominojnë hepatiti dhe cirroza alkoolike, sëmundjet kardiovaskulare, kanceret e traktit tretës gjirit dhe pankreasit. ”Rreth 985 e pirësve të rëndë të alkoolit janë të dhunshëm”, thuhet në strategji. Në dokument saktësohet se përballë këtij realiteti mungon një sistem i mirëfilltë për trajtimin e dëmeve shëndetësore që shkaktohen. Ndonëse është ngritur qendra terapeutike pranë QSU-së, funksionimi i saj nuk ka nisur ende. Sakaq ligji që ndalon konsumin e alkoolit përpara moshës 18 vjeç është krejtësisht i pazbatueshëm. Në të tilla kushte, në strategji shtrohet nevoja për rritjen e kontrollit për respektimin e minimumit të moshës së blerjes së pijeve alkoolike. ”Alkooli është një nga faktorët e riskut në dhunën familjare. Nga të dhënat rezulton se afërsisht një në katër gra, nga mosha 16 vjeç, kanë pësuar dhunë fizike nga partneri dhe kanë deklaruar se personi ka qenë i pirë”, thuhet në dokument. Sipas specialistëve, duhen nxitur programe që të ndikojnë në zbutjen e këtij fenomeni. Gjithashtu në strategji parashikohet që industria e pijeve të luajë rol aktiv në përhapjen e informacioneve këshilluese përmes etiketave të produkteve alkoolike dhe ambienteve tregtare. ”Duhet të përfshihet në kurrikulat mësimore edukata adiktive për substancat e vartësisë, përfshi këtu edhe edukatën anti alkoolike”, saktësohet në strategji. Mjekët bëjnë me dije se janë të paktën 12 organe apo sisteme të trupit të njeriut që shkatërrohen gradualisht nga kërcënimi i alkoolit. Për të zbutur këtë problem që kërcënon gjithë shoqërinë, parashikohen një sërë masash të cilat për t’u vënë në zbatim kërkojnë ndërhyrjen e gjithë shoqërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›