E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e deputetëve, Oketa: Disa emra duhet të ishin

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Oketa, tha gjatë një interviste në “Ora News” se disa figura të rëndësishme duhet të ishin pjesë e listës së kandidatëve të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndonëse nuk përmendi emra konkretë, ai tha se “nuk mund të them se kush e meritonte ose jo të ishte, por mund të them se lista përfaqësoi të gjitha kategoritë e mbështetësve”. Në prag të hartimit të listave për zgjedhjet e përgjithshme ngelën jashtë garës figura kryesore si ish-kryetari i komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, ish-deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj, ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj apo edhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Jashtë listave, apo në pozicione jo fituese, u renditën edhe disa prej deputetëve të cilët mbështetën publikisht kandidimin e Bamir Topit për President, si dhe kundërshtuan disa prej ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Në pozicionin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa mbrojti marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e kufirit detar. Sipas tij, kjo marrëveshje është një domosdoshmëri politike për sigurinë kombëtare. Oketa theksoi se parimisht nuk ka asnjë politikan që të ketë kundërshtuar një marrëveshje, e cila përcakton një kufi që nuk ka ekzistuar më parë. “Personalisht nuk kam asnjë ndjenjë dyshimi për marrëveshjen dhe negociatorët kanë bërë çdo gjë të mundur për paktin”, tha Oketa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›