Presidenti i ARMO: Kompania s’ka borxhe as në tatime as në dogana
Kompania ARMO nuk ka detyrimeve ndaj administratës tatimore dhe doganore. Kështu është shprehur presidenti i kësaj kompanie, Rezart Taçi, pas deklaratave të opozitës të dhëna dy ditë më parë. “Kompania ARMO, në cilësinë e tatimpaguesit më të madh privat dhe kryesuesit të listës së privatizimeve strategjike me një vlerë prej EUR 128.750.717 të paguara në datën 27 nëntor të vitit të kaluar, që përkon me një muaj para afatit ligjor, deklaron se pavarësisht sfidave të përditshme të administrimit të një industrie kaq madhore, ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet kontraktuale si edhe ato në lidhje me Autoritetet Tatimore dhe Doganore të vendit. Ritheksojmë që kompania ARMO deri më sot jo vetëm që nuk ka asnjë detyrim të prapambetur dhe korent ndaj këtyre autoriteteve, por ka rritur nivelin e akcizës së deklaruar dhe paguar për 7-mujorin e vitit 2009 me një shifër rreth 1.4 herë më të lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, ka deklaruar Taçi. Sipas tij, punonjësit e kompanisë ARMO që prej privatizimit prej më pak se një vit më parë marrin pagën e rritur prej 30% çdo muaj dhe përveç pagës edhe bonuse që arrijnë vlerën e 10 milionë eurove për arritjet e paparashikuara të kompanisë në shumë pak kohë. “Pas 30 vitesh ARMO sh.a hodhi në treg për herë të parë produktin eurodiesel i certifikuar nga Inspektorati Qendror Teknik, duke arritur një standard të lartë produkti, që do të çojë në rritjen ekonomike të kompanisë dhe të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit”, është shprehur ai. Vetëm pak ditë më parë, Policia Tatimore e Fierit bllokoi depot e nënprodukteve të naftës të shoqërisë “ARMO”. Policët Tatimorë i kanë vënë shiritin uzinës së përpunimit të naftës në Fier, kombinatin e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, pontilin e Vlorës nga ku bëhet furnizimi i rafinerive. Arsyeja për këtë veprim të tatimeve është mungesa e një autorizimi akcize për magazinat tatimore.