E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minierat e kromit, Prifti: Do rishikohet koncesioni i ACR

 

Fabiola Çela

Ministria e Ekonomisë ka vendosur t’i heqë kontratën koncesionare kompanisë ACR. Shkak për këtë është mosrespektimi i kritereve të kontratës nga kompania. Deklarata është dhënë nga vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti.
Marrëveshja
Ministri i METE-s, Prifti, ka zhvilluar dje një takim me sindikalistë dhe punëtorë të Konfederatës së qarkut Dibër,  përfaqësuar nga Petrit Frangu si dhe nga kryetari i konfederatës sindikaliste të uzinës së ferro-kromit Burrel, Arben Mali. Gjatë takimit ata i paraqitën ministrit problemet shumë-vjeçare të koncesionit për uzinën e ferro-kromit Burrel, minierës së Bulqizë, fabrikës së pasurimit Bulqizë, si dhe impiantit të seleksionimit Klos, duke e quajtur këtë koncesion të dështuar në vite. Ndryshimet e herëpashershme të kontratave nënkoncesionare kanë dhënë rezultate vetëm negative. Sipas tyre, akoma problemet e trashëguara nga këto nënkoncesionare vazhdojnë sot e kësaj dite, duke krijuar vështirësi të mëdha financiare, pasi rezultojnë të jenë ende debitorë ndaj subjekteve private dhe shtetërore që operojnë në qarkun e Dibrës. Gjithashtu ata vunë në dijeni ministrin dhe për shumë raste korruptive në lidhje me këto kontrata nënkoncesionare. Ata i kanë kërkuar ministrit Prifti vënien në punë të uzinës sa më parë. Gjatë takimit ministri deklaroi se ka nisur procedura për heqjen e koncesioneve të shoqërisë ACR (ish-Darfo). Kjo, pasi asnjë nga kriteret e kontratës koncesionare për rreth 7 vjet nuk janë plotësuar. Ministri vlerësoi këtë koncesion të dështuar dhe premtoi se gjëra të kësaj natyre nuk do të ndodhin më. Uzina e ferro-kromit Burrel dhe miniera e Bulqizës janë punëdhënës shumë të rëndësishëm në qarkun e Dibrës, ku janë të punësuar rreth 1000 vetë. “Duke qenë se kryefjala e programit të qeverisë është punësimi, nuk do të lejohet që dështime të tilla të shkaktojnë akoma probleme sociale dhe papunësie, të cilat ulin standardet e jetesës së banorëve të qarkut Dibër”, ka deklaruar ministri Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›