PD, Beja: Të ndahen postet ministrore nga ato partiake
ADI SHKEMBI
Në prag të Kuvendit zgjedhor të Partisë Demokratike rihapet debati për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare. Pak ditë pas mbledhjes së kryesisë, e cila ngriti dy grupe pune për rishikimin e statutit dhe përgatitjen e zgjedhjeve, dalin zërat e parë që kërkojnë ndarjen e posteve. Anëtari i kryesisë së PD-së dhe kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, tha dje në një prononcim për mediat se përqendrimi i posteve partiake në duart e atyre që kanë angazhime qendrore dobëson partinë. “Ekstremet nuk janë asnjëherë të mira. Në qoftë se të gjithë drejtuesit e partisë do të venë të tërë në pushtet dhe s’ngelet kërkush te partia, partia humbet forcën. Eshtë e vështirë për një njeri që të drejtojë një dikaster të rëndësishëm, që ka detyrime të mëdha dhe përgjegjësi të mëdha ndaj gjithë popullsisë, jo vetëm ndaj partisë, dhe të jesh në gjendje pastaj të ndjekësh dhe këtë, nuk është e lehtë. Vërehet prirja që të ketë nga të dyja”, tha Beja. Debati për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare u hap për herë të parë në vitin 2007, kur Ministri aktual i Mbrojtjes, Arben Imami kërkoi të kandidonte për një prej posteve të rëndësishme në PD, që mbaheshin nga zyrtarë të cilët kishin edhe poste në qeveri. Por megjithëse u shpreh parimisht pro këtij varianti, Kryeministri Berisha nuk ndërmori asnjëherë iniciativën për ndarjen e posteve. Nëse kryesia e PD-së do të vendosë ndarjen e tyre, duket se të vetmit që do të preken nga kjo ‘reformë’ janë sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, i cili mban njëkohësisht edhe postin e Ministrit të Financave, si dhe sekretari për marrëdhëniet me publikun, Ferdinand Xhaferri, i cili mban postin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kryesia e PD ka ngritur një grup pune që do të përshtasë statutin e kësaj force me Kodin e ri Zgjedhor. Ndryshimet do të miratohen në Kuvendin e dhjetorit, bashkë me strukturat e reja drejtuese të partisë. “Nga momenti që kemi ndryshuar kodin për zgjedhjet në nivel qarku, atëherë kjo duhet të përshtatet dhe te partia. Kështu që ne do të kemi njëkohësisht parti të strukturuar në mënyrë të tillë që të jetë e aftë të konkurrojë, të bëjë fushatë e të fitojë. Kjo është e detyrueshme të shprehet në statut, sepse statuti ngelet i tejkaluar tashmë”, vijoi Beja.