Bumçi: Gati të heqim imunitetin
Partia Demokratike është gati të vendosë si pikë të parë të rendit të ditës heqjen e imunitetit sapo PS-ja ta pranojë propozimin e Komisionit të Venecias. Këtë e bëri të ditur dje deputeti demokrat, Aldo Bumçi, sipas të cilit opozita nuk ka vullnet për këtë çështje. “Ne jemi për ta bërë për të gjithë deputetet, si një akt i Kuvendit, morëm model ligjin gjerman, ishte një akt i Kuvendit i cili bënte kufizimin e imunitetit të deputetit gjerman, ka një mendim të Komisionit të Venecias. Nëse ka vullnet, zgjidhja gjendet”, tha Bumçi. Sipas tij “zgjedhjet janë instrumente, ndryshimi kushtetues me një ligj me 3/5, këto janë çështje teknike. Por, a ka vullnet nga opozita? Jo, nuk ka, sepse kur ishin në shumicë nuk e bënë dhe pse ishte kërkesë e BE-së. Gjatë katër viteve që ne ishim në qeverisje, ata gjithashtu nuk dhanë mbështetje për këtë nismë. Tani ne jemi të gatshëm që ta vendosim në pikë të parë të rendit të ditës në çdo moment që ata do kenë vullnet”, deklaroi Aldo Bumçi, deputet i PD-së. Çështja e imunitetit të zyrtarëve të lartë u rikthye edhe njëherë në vëmendjen e debatit politik. Pak ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uithers, deklaroi se liderët dhe zyrtarët shqiptarë duhet të veprojnë me integritet, në interes të publikut, pa u fshehur pas imunitetit apo masave të sigurisë që u cakton ligji.