E Diel, 1 Nëntor 2026

Alkooli dhe papunësia, “shkaku” kryesor i dhunës në familje



90 për qind e rasteve të dhunës, nga kjo kategori

Policia merr masa në mbrojtje të të dhunuarve

Alkoolizmi është shkaku kryesor i dhunës në familje. Statistikat e servirura nga organizatat e ndryshme në mbrojtje të grave dhe të miturve, si shoqata “E ardhme e sigurt” dhe “Familja”, tregojnë se dhuna në familje është një dukuri që ka prirje për ulje në vend dhe është lokalizuar më së shumti vitet e fundit tek bashkëshortët e alkoolizuar e të papunë.

Vetëm gjatë këtij muaji policia ka marrë në mbrojtje 6 gra me fëmijë të mitur të cilët keqtrajtohen nga bashkëshortët e tyre, vetëm në qytetin e Durrësit. Ndërsa në 10 muaj ky numër ka arritur në 60. Në bazë të ligjit, nëpër drejtoritë e policive të qarqeve, ushtron funksionet e tij Seksioni për Mbrojtjen e Grave dhe të Miturve.

Dhuna

Në policinë e Durrësit, por edhe në shoqatat të cilat merren me gratë e dhunuara, gjatë një periudhe 10-mujore rezultojnë 60 raste të denoncuara në polici si dhe 120 të tjera të cilat janë rrëfyer pa depozituar kërkesa për t’u marrë në mbrojtje nga ana e policisë.

Prej atyre që kanë kërkuar mbrojtjen e policisë ,48 kanë përfunduar në divorc, ndërsa 12 të tjera janë pajtuar përsëri. Gratë kanë kallëzuar se dhunohen fizikisht nga bashkëshortët e tyre të cilët, veç drurit, ushtrojnë edhe dhunë psikike, jo vetëm mbi to, por edhe ndaj fëmijëve të mitur. Por është konstatuar se gjatë 2 viteve të fundit gratë janë më kurajoze, pasi kanë arritur që të denoncojnë burrat agresorë dhe për të përballen me ta në sallat e gjyqit.

Shkaqet

Në 90% të rasteve të denoncuara rezulton se burrat agresorë janë përdorues të pijeve alkoolike si dhe nuk kanë marrëdhënie të rregullta pune. Sherret mes tyre dhe bashkëshorteve kanë si shkak mungesën e parave për të siguruar alkoolin si dhe papërgjegjshmërinë bashkëshortore për të marrë mbi supe problemet familjare.

Pjesa dërmuese e këtyre rasteve janë çifte të moshave relativisht të reja, nga 25 vjeç deri 40 vjeç. Ata rezultojnë se janë banorë të vendosur në Durrës gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave, del se ata kanë ardhur nga zona të largëta të vendit dhe ndeshen me problemet e metropolit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›