Durrësi,qyteti bregdetar, pa treg blegtoral dhe peshku
Durrësit prej vitesh i mungon tregu blegtoral dhe i peshkut. Nëse prej vitesh prodhimet bujqësore dhe bulmetrat tregtohen në një merkato bashkëkohore, nuk ngjet kështu me tregtimin e gjësë së gjallë, shpendëve apo peshkut. Këto produkte në Durrës prej vitesh tregtohen në rrugë dhe rreth e përqark merkatos jashtë kushteve higjeno-sanitare si dhe në kundërshtim me etikën qytetare. Qengja, desh, pula, madje edhe viça në gjendje të gjallë tregtohen në rrugën përgjatë ish-mullirit të blojës në drejtim të pallateve parafabrikate. Në vigjilje të festave tradicionale, në këtë rrugë është e pamundur të qarkullosh, pasi ajo është e mbushur me kafshë dhe shpezë shtëpiakë. Ndërkohë që qytetit i mungon edhe një merkato peshku. Peshku dhe prodhimet e tjera të detit tregtohen me karroca të mbushura me akull nëpër rrugët kryesore të Durrësit apo nëpër dyqane të vogla. Në bashki prej vitesh e njohin këtë gjendje, por nuk janë në gjendje që të ndërtojnë merkato për tregtarët e gjësë së gjallë dhe të peshkut pasi ato kërkojnë shuma të mëdha parash. Por një problem tjetër që shfaqet në këtë drejtim është edhe mungesa e territoreve për ndërtime të përmasave të mëdha siç e kërkojnë këto lloj tregjesh. Disa vjet më parë, Ministria e Mjedisit pati folur për një nismë të tillë, por ajo mbeti pas së bashku me premtimet e ministrisë përkatëse. Në këto kishte njerëz që monitoronin tregjet dhe shëndetin e popullatës, bënin një sy qorr për këtë problem kur dalin për kontrolle. Ndërkohë që në fillim të viteve 2000 italianët e UNOPS-it me kontributet e qeverisë së tyre realizuan projektin e tregut bujqësor pasi edhe ai mungonte.