E Shtunë, 31 Tetor 2026

All Star në Mitrovicë

Më 24 mars në Mitrovicë, sikurse viteve të kaluara, do të zhvillohet ndeshja All Star ndërmjet përfaqësueses së Kosovës në basketboll dhe ekipit të përbërë me lojtarët e huaj që luajnë me klubet kosovare.

Ekipi kundërshtar i reprezentacionit kosovar do të udhëhiqet nga trajneri i Pejës, Muharrem Vugdaliq. Këtë vendim e ka marrë Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovë (FBK), në mbledhjen e vet të mbajtur të premten.

“Përzgjedhës i ekipit me lojtarë të huaj u caktua Muharrem Vugdaliç, ndërsa ndihmës të tij Panqe Milevski dhe Boban Mitev”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga FBK-ja.

Kurse përfaqësuesja e Kosovës do të udhëhiqet nga selektori Agim Kasapolli. Njëherësh ky do të jetë aktiviteti i parë i Kasapollit me reprezentacionin kosovar, prej emërimit të tij në postin e selektorit në muajin shtator të vitit të kaluar.

Kupa e Kosovës, në prill

Bordi i FBK-së ka shpallur konkurs për organizimin e turneut final të Kupës së Kosovës për edicionin 2009/10, që do të zhvillohet prej 2 deri më 4 prill.

Në njoftimin e FBK-së thuhet se për ta fituar të drejtën e organizimit të këtij evenimenti, përparësi do të ketë ai klub i cili konkurron nga ndonjë qytet i Kosovës, në të cilin vend Kupa shtetërore nuk është zhvilluar asnjëherë më parë, apo të paktën qe një kohë të gjatë.

Procedurë disiplinore ndaj Hajrizit e Brahës

Komisari i Garave i TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll, Nazmi Paçarada ka hapur procedurë disiplinore ndaj dy zyrtarëve të Trepçës, Naim Hajrizi e Besim Braha, të cilët kanë reaguar në mënyrë jo sportive ndaj trajnerit të Pejës, Muharrem Vugdaliq, në ndeshjen e së dielës Trepça – Peja (80:77).

“Në raportin e vëzhguesit, gjyqtarët e ndeshjes kanë paraqitur raport plotësues në lidhje me reagimet jo sportive ndaj trajnerit të Pejës nga zyrtarët e Trepçës, Naim Hajrizi e Besim Braha, gjë që hapet procedurë disiplinore ndaj tyre. Nga të dy këta kërkohen deklarata me shkrim në lidhje me këtë rast”, thuhet në komunikatën e FBK-së.

Xhiroja e 23-të e Superligës

Në këtë vikend do të zhvillohet xhiroja e 23-të e TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll. Fillimisht të shtunën zhvillohen tri takime, kurse kjo xhiro përfundon të dielën me ndeshjen ndërmjet Pejës dhe Dritës.

Xhiroja e 23-të
E shtunë
S. Prishtina – Bambi 18:00
Trepça – Kosova 19:00
K. EuroSport – Bashkimi 20:00
E diel
Peja – Drita 17:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›