E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favorizohet Kastrioti

Në këtë fundjavë do të nisin garat e edicionit pranveror të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, derisa kandidatët kryesorë për ta fituar titullin e kampionit janë Kastrioti, Prishtina dhe Besa Famiglia.

Të tri këto klube, përveç titullit të kampionit, synojnë ta fitojnë edhe Kupën e Kosovës.

Kastrioti stinorin vjeshtor e ka përmbyllur në vendin e parë në tabelë me 26 pikë, kurse Prishtina që ka tri pikë më pak, gjendet në vendin e dytë. Ndërsa, Besa Famiglia është skuadra e tretë me 20 pikë.

Edhe pse aktualisht ka gjashtë pikë më shumë sesa Besa Famiglia, trajneri i Kastriotit, Fatmir Syla, ekipin pejan e sheh si kundërkandidatin më të fortë për t’i fituar të dy trofetë.

“Synimi ynë është i qartë: ne duam ta fitojmë titullin e kampionit dhe ta mbrojmë Kupën e Kosovës, të cilën e kemi fituar në sezonin e shkuar. Si rival më të fortë në vazhdim të kampionatit e shohim Besën, por edhe Prishtinën. Megjithatë, ne kemi një përparësi më të lehtë sesa Besa e Prishtina drejt arritjes së synimeve”, deklaroi Syla për Express.

Ndërsa, Besa Famiglia nuk e sheh si pengesë Prishtinën, e cila aktualisht i ka tri pikë më shumë sesa skuadra nga Peja. Për pejanët, rivalët më të fortë janë hendbollistët e Kastriotit të Ferizajt.

“Kastriotin do ta kemi rivalin kryesor. Edhe pse Kastrioti ka 6 pikë më shumë, megjithatë ne nuk do të heqim dorë nga titulli i kampionit deri në fund, sepse do t’i luajmë dy ndeshje ndaj Kastriotit. Po ashtu, edhe Kupa e Kosovës është objektiv yni. Kemi një ekip të fortë dhe do të luftojmë deri në fund, edhe pse Kastrioti do ta ketë më lehtë t’i arrijë synimet, por ne nuk do të dorëzohemi”, tha për Express, kapiteni i Besa Famiglias, Arben Muqolli.

Ndërsa, në dallim prej Kastriotit e Besa Famiglias, Prishtina në pranverë do të luajë me ekip të përbërë vetëm me lojtarë vendorë – pa hendbollistë të huaj. Megjithatë, trajneri i prishtinasve, Taib Kabashi thotë se objektiv për skuadrën e tij janë të dy trofetë.

“Kampioni aktual, Prishtina, fituesi i Kupës, Kastrioti dhe Besa e përforcuar janë kandidatët më seriozë për titull dhe për Kupë. Lufta do të zhvillohet deri në fund. Pra, deri në fund të kampionatit, këto tri skuadra do të luftojnë për të dyja trofetë”, deklaroi Kabashi.

Duhet theksuar se Kastrioti, Besa Famiglia, Trepça e Vëllaznimi në çastet e fundit kanë vendosur t’i vazhdojnë garat e organizuara nga Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK). Këto skuadra ishin të pakënaqura me zhvillimet në Kuvendin Zgjedhor të FHK-së dhe vazhdimin e kampionatit e patën vënë në dyshim.

Mirëpo, Kastrioti nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se do t’i vazhdojë garat vetëm për hir të sportit të hendbollit dhe nëpërmjet kësaj kumtese, kryesia e këtij klubi ka paralajmëruar se vazhdimisht do të jetë një ‘opozitë’ e fortë karshi zyrtarëve të FHK-së.

Xhiroja e 15 e Superligës

E shtunë
Prishtina – Drenica 16:30
Besa F. – Vëllaznimi 18:00
Kastrioti – Rahoveci 19:00

E diel
Trepça – Kosova 18:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›