E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj, s’shkon në Kombëtare

Edhe pse Mërgim Mavraj është ftuar në Kombëtaren shqiptare për miqësoren kundër Irlandës së Veriut, sipas gjitha gjasave, atë nuk do ta shohim duke luajtur në stadiumin ‘Qemal Stafa’ në fanellën kuqezi.

Mbrojtësi kosovar në çastet e fundit ka vendosur mos të grumbullohet me ekipin kuqezi për ndeshjen e 3 marsit. Ai i ka thënë gazetës Express se nuk do të luajë për kuqezinjtë të mërkurën

“Nuk po shkoj”, është shprehur shkurtë Mërgim Mavraj për Express të premten, pa dhënë sqarim dhe detaje për këtë.

Në anën tjetër, edhe burime brenda Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF) kanë bërë të ditur se Mavraj u ka bërë me dije nëpërmjet telefonit se nuk do ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare.

Sipas këtij burimi, mbrojtësi i Bochumit këtë vendim e ka marrë, pasi drejtori teknik i Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB), Matthias Sammer, i ka thënë atij se pas Kampionatit botëror do të jetë në planet e përfaqësueses gjermane.

Ndërsa gazeta Express ka provuar ta kontaktojë selektorin Josip Kuze dhe shefin e ekipeve kombëtare, Denis Bastari, por kjo ka qenë e pamundur, pasi që të dy nuk e kanë hapur fare telefonin.

Selektori Josip Kuze ishte ai që insistoi në angazhimin e Mavrajt në Kombëtare, pasi e vlerësonte si një mbrojtës shumë cilësor dhe i cili do t’i kryente shumë punë në ekipin kuqezi.

Trajneri kroat pati një takim sy me sy me mbrojtësin e Bochum gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Në këtë takim, Kuze i ka bërë ftesë Mavrajt që të luajë për kuqezinjtë, por si duket nuk ka arritur ta bind atë që ta veshë fanellën e Shqipërisë, edhe pse fillimisht i kishte thënë po.

Mavraj në vitin 2006 ishte pajisur me pasaportë shqiptare, në kohën e trajnerit kroat Otto Bariç. Mirëpo, mbrojtësin kosovar në vend të Kombëtares A e kishin ftuar me skuadrën U-21 të Shqipërisë, gjë që nuk i pëlqeu.

Pas kësaj ai refuzoi të veshë fanellën kuqezi, duke zgjedhur përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë, me të cilën debutoi në vitin 2007 në ndeshjen miqësore kundër shpresave të Italisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›