E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Allegretto Albania" pushton Kosovën

Tri net me radhë mjaftuan që arti i skenës "ta pushtojë" publikun artdashës, të etur tashmë, të Kosovës. Këtë e bëri fuqishëm, bindshëm, magjishëm, shfaqja e Teatrit Kombëtar të Tiranës në Teatrin Kombëtar të Prishtinës më 6 dhe 7 prill, si dhe interpretimi në skenën e shtëpisë së kulturës, "Asim Vokshi" të Gjakovës, më 8 prill 2009, të "Allegretto Albania", me autor teksti Stefan Çapalikun dhe regji të Altin Bashës. Vepra teatrale vjen me lojën (e shkëlqyer!) të aktorëve Mirush Kabashi, Olta Daku, Ahmet Pasha, Gazmend Paja, Vasjan Lami, Klea Rondo dhe Xhejni Fama. Skenografia dhe kostumet mbajnë firmën e Iliriana Loxhës, muzika i përket Endri Sinës, ndërsa Kled Kapexhiu vjen si as.regjisor.

Bashkëpunimi i (krye)teatrove shqiptare Tiranë-Prishtinë-Shkup bëri të mundur që shikuesit kosovarë të shohin një realizim skenik jo të zakonshëm, përmasat e të cilit tejkalojnë zhvillimet teatrore mbarëshqiptare. Në fakt, "komedia serioze" siç

pretendohet të cilësohet nga fletëpalosja informative, është një gjetje e mirë dhe intriguese. Të dhënat elementare që serviren, po aty, me pak fjalë, e nxitin kërshërinë për të parë në skenë një lojë miksturë: humori dhe seriozja! Humori, komikja (do t‘i rrinte më mirë tragjikomikja!), si (nën)lloj tashmë i njohur i dramës, dhe në anën tjetër seriozja, boshti i "ngjarjes", veprimit, lojës. Humori dhe komikja zakonisht mbështeten në gjetjen autoriale për dukuri dhe fenomene nga më

të thjeshtat e deri tek ato "mega" gjetjet, refleks i temave tashmë të njohura në komedinë botërore që nga antikiteti e deri në ditët tona, por edhe në traditën shqiptare, e cila i detyrohet shumë Kristo Floqit disi "të harruar". Te Stefan Çapaliku, një emër ky me një vepër të dëshmuar jo vetëm dramatike, përballja me një dukuri siç është gjakmarrja dhe derivimet e kësaj dukurie që

rrjedhin nga kanuni, ngujimi, dënimi... rikthimi i familjarëve në jetë, nuk ka paraqitur ndonjë vështirësi, në qoftë se është domethënës fakti se ka "bashkëjetuar" me këtë komunitet. Komunitet ky që kemi menduar (mbase edhe mashtruar) se qe zhdukur, por ndryshimet e befta të shoqërisë e "rikthyen" dhe

për fat të keq po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Te Çapaliku kemi gjetjen, mënyrën e bërjes së "lojës" për të qenë bindëse dhe për të dhënë një mesazh, një moral, një "katarsis" që duhet të ketë një realizim i mirëfilltë skenik. Komikja përballë pasojës, jo krimit, por fateve që e vuajnë, të shumtën e rasteve padrejtësisht, dënimin që vjen nga një kanun i stërlashtë me nenet dhe paragrafët mesjetarë që rilindën dhe qëllojnë e fshikullojnë pamëshirshëm. Në një anë familja e ngujuar me kryefamiljarin, babain (Mirush Kabashi), nënën (Olta Daku), djalin e madh (Gazmend Paja), djalin e vogël (Xhejni Fama), që nga çasti kur mbathin këpucët e ngujimit me përballjen, në anën tjetër, me "interesimin" e shoqërisë për "të ndërmjetësuar" me format në fuqi siç janë mediat, organizmat e shoqërive civile e të tjera, deri te përpjekjet për t‘u dhënë leksione "arsimimi" superior, "mbijetimi" apo "çlirimi" për ta tundur jetën e imponuar, nëpërmjet mësuesit (por edhe kryetar i shoqatës së familjeve të ngujuara - Ahmet Pasha), spikeres dhe Pajtimes (kryetare e shoqatës së pajtimeve - të dyja në interpretim të Klea Konomit), Satedinit (vrasësi, Vasian Lami) për të ofruar sa perspektivat, që dalin të jenë abuzive dhe konfuze, sa atë "happy end"-in e domosdoshëm. Meqenëse drama "Allegretto Albania" është e botuar (2006), lexuesi i vëmendshëm, më saktë shikuesi i realizimit skenik, do të hetojë dorën e regjisorit Altin Basha, i cili është shndërruesi i së folmes tekstore, në të folmen dhe veprimin skenik, në lojën dhe harmoninë që kërkon po ky veprim skenik. I njohur tashmë me realizime të shkëlqyera, të cilat na lënë të kuptojmë se tashmë Basha ka krijuar stilin dhe kërkesat regjisoriale koherente, me një shkrirje të traditës me

eksperimentet deri në përmasa madje "futuriste", thënë pa ekuivok, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse Basha te "Allegretto Albania" ka gjetur karakteret dhe tiparet që i duhen. Ka arritur edhe të qetësojë kërkesat e lojës me hapësirën skenike të duhur, një skenografi mbushulluese, e cila flet

me gjuhën e vet, korrespondon me situatat, imponon lehtësi zhvendosjeje, një arkitekturë me shtrirje vertikale, horizontale, me gjetjet spontane, kur çarçafët e nderë për t‘u tharë (sepse edhe në ngujimin më ekstrem ndodh jeta), pra çarçafët do ta bënin edhe ekranin e madh, edhe ekranin e vogël, edhe monitorin, edhe "ndërlidhjen" e kullave vrojtuese, shkallët e ritualit të përditshmërisë, muret jo me parullat e një politike e pushteti absolut, por me nenet dhe paragrafët e një kanuni të rilindur te një vend, te një kohë dhe te njerëz jo të duhur. Këtu edhe konsiston grotesku, absurdja, alegoria e "Allegretto Albania" që aq bindshëm iu shfaq artdashësve të Kosovës tri ditë me radhë.

Për të qenë racional dhe pa dëshirën për të përsëritur të thënat (dhe të pathënat) për këtë realizim skenik, do të doja të ndalesha veç e veç te rolet, karakteret, ekspresionin e dhënë nga bartësit e skenës dhe të prapaskenës.

Mirush Kabashi

Artist tashmë i përmasave botërore, plastik deri në perfeksion, herë komik për t‘u pasur zili, herë tragjik për t‘u dhembsur, herë boshti i lojës, herë figuranti tek e imponon "problemin" në bashkësinë e ngujuar përballë "ndërhyrjeve" të jashtme, të cilat janë refleks i shoqërisë në tranzicion, ku pushon për pak kohë ligji (shteti) dhe rilind një tjetër ligj (kanuni), tashmë

"i harruar", por që meskohët e rikthejnë, e ringjallin, e tundin nga thellësitë e harruara. Mirushi dialogon, drejtpërdrejt, merr e jep, bashkëvepron, por edhe lëshohet në monologë plot emocion, sepse ka brenda vetes edhe viktimën, edhe ambiciet. Ai është vetë skeleti i veprimit, është mishi i mbushullisë aktoreske. Radiologjia fillon me të, duke bërë një trajektore impresionuese. Një rast i rrallë për të gjithë trupën që të lartësojnë kreacionin, besimin e dhënë. Një Mirush vërtet fantastik! Një baba antologjik, ky kritik muzike që identifikohet me lajtmotivin bosht "Për ty atdhe", i duhet t‘i bëjë të gjitha, se i bën për të, për atdheun!

Olta Daku

Partnere e denjë, e mishëruar në rolin e nënës. Nënës së mençur, të urtë, një nëne që në kohë tranzicioni i duhet të bëjë jetën e shtëpiakes, tani, falë Kanunit, edhe të të ngujuarës, dy herë shtëpiake. Zotërimi i lëvizjeve skenike i mahnitshëm, ndërhyrje në lojën bashkërenduese jashtëzakonisht profesionale. Një grua-burrë, një grua fisnike, përkundër peshës së fajit për ç‘gjë i vuan gjithë familja. Përkundër viteve në disharmoni me rolin, ajo është mishi e gjaku i nënës.

Ahmet Pasha

Edhe një rol i realizuar në kartonin e pasur të merkatos aktoreske... Por mësuesi i tij është mësuesi i tranzicionit, mësuesi i "bamirësive" që pakëson dhimbjen me atë dritë dijeje që duhet të japë në kushte e rrethana që edhe ai i ka të qarta, por... ai duhet të kryejë misionin për çfarë paguhet dhe e bën këtë spontanisht, sikur të ishte fjala për "ëorkshop"-e tashmë të njohura. Një mësues që ka kapur rrjedhat e ligjërimit të kohës, me mjetet më të sofistikuara. Bindës deri në skajshmëri.

Gazmend Paja

Rol i çuditshëm. Gjithnjë në lëvizje, me armën rekuizit, por që kur duhet ta shkrepë, ia kalon njeriut të parë që takon! Sinonim i një të riu që është ngujuar kot. I përgjegjshëm në secilën lëvizje, e gamë e lëvizjeve përplot situata provokuese. I qartë në të folur, një i ri shqiptar si çdo i ri në çdo cep të

botës. Loja me armën, në shumicën e herës, ritual dhe detyrim, por armën, me veprime që funksionojnë pa ndërprerë, e dhunon, siç ka dhunuar arma "e dikujt" të ngujohen aty... të bjerrin kohën aq të dhembsur që e manifeston mimika dhe gjestikulacioni plastik aktoresk. Një rol shumë i arrirë, një "djalë i madh" për të tërë...

Xhejmi Fama

Djali i vogël që i duhet të jetë vigjilent gjatë gjithë "lojës", se barra më e madhe bie te më të vegjlit... Përgjegjës për rolin, i vetëdijshëm për potencialin për të dhënë të pamundurën. Një rol që shkrihet në tërësinë e shfaqjes në shumë komponentë. Djalë i vogël, me një fizik dhe besim për t‘u respektuar. Deri në hollësi i kujdesshëm për të qenë rituali i përditshmërisë,

një tragjikomedi e vërtetë. Edhe kur ha vaktin, majë kullës, vrojton dhe... reagon. Të fut datën me veprimet e natyrshme... Një rol që mbetet gjatë në kujtesë!

Klea Konomi

E angazhuar në dy role, por që u jep veçantinë dhe karakterin e duhur. Nga folësja që ndërlidh të ngujuarit me botën, deri te kryetarja e Shoqatës së Pajtimeve, OJQ-të me nam të tranzicionit. Pajtimja, po veç pajtime nuk është, një konfuzion që i karakterizon hera-herës simotrat e tilla, se gjendja e

shoqërisë kërkon të jesh gjithkund dhe askund. Madje edhe të ngatërrosh ndihmat "humanitare", të cilat i japin shfaqjes një gjetje autoriale (dhe regjisoriale, sigurisht!) që janë kuintesenca e "Allegretto Albania".

Vasian Lami

"Përfaqësues" dhe prototip tipik i krimit, por që di të notojë në çdo situatë, madje edhe në rolin e shpëtimtarit. Një përfundim që shfaqjes i jep rudimentin, një fillim të ri, kur ajo është në të sosur. Një cikël, apo rrathë koncentrikë të të njëjtit ritual jetësor. Përkujdesja e tij, deri në hollësi me fokusim

satelitor të secilit hap, e bën lojën art. E bën jetën lojë. Epo, ky është arti.

Skenografia/kostumet (Iliriana Loxha)

Skenografia është pjesë e pandashme e secilit art skenik. Nëse ajo funksionon, plotëson kriteret më elementare për të pasur suksesin e pritur e gjithë loja. Në kërkesën e skenografes dhe kostumografes së "Allegretto Albania", shihen qartë vijat e trasha të koordinatave të lojës, idesë, mesazhit, imazhit, plotësisë skenike për të joshur syrin, mendjen, për ta arritur kulmin e përjetimit estetik. Se edhe skenografia, para se të jetë

skenografi, është art. Art i veçantë madje edhe në një "komedi serioze", sikur kjo, sepse Kanuni është "ligji" dhe skenografia është "institucioni" ku vepron ligji. Institucionet që nga antikiteti e deri më sot kanë kërkesat e të qenit madhështorë, sidomos në traditën shqiptare. Kullat, kullat e vrojtimit, muret,

muret ndarëse me botën, "kështjella miniaturale", muret e shtëpisë, dyert impozante, reliktet e jetës brenda mureve. Gjithë deri te "çikërrimat" e kulturës së banimit, kulturës së jetës së përditshme, hapat drejt modernitetit me lap-top, internet e projektor. Këto i përfshin skenografia e (pa)parë e kësaj

shfaqjeje, të cilat mbesin në kujtesë më shumë se sa zgjat një shfaqje, një realizimin skenik. Një skenografi efektesh, ku deri në hollësi dhe të paimponuara "do të zbresin" madje edhe negativët e rentgenit, një lloj zbulimi deri në palcë i rrashtës, eshtërisë, gjenit të secilit "hero" të shfaqjes. Një ADN figurative e plagës shekullore. Kostumet e Iliriana Lozhës janë qershia mbi tortë e kreaturës poliedrike, e gamës së saj

profesionale përkushtuar artit skenik. Ajo e ka këtë dhunti falë traditës dhe përkushtimit ku është rritur dhe formuar, por edhe talentit, pa të cilin nuk kurorëzohet një objektiv jetësor që në fushën e artit është shumë i vështirë për t‘u realizuar, meqë konkurrenca është më e theksuar se gjithandej. Kjo shfaqje dëshmoi se për shumë vjet është e pakonkurrencë. Dhe na emocionon ky fakt, s‘kemi pse ta fshehim.

Muzika (Endri Sina)

Edhe muzika, për të krijuar perceptimin e duhur të lojës, duhet të kënaqë shijen e të dëgjuarit, përpos vokalit të arrirë të secilit aktor, një kërkesë e domosdoshme estetike e realizuar qoftë në thjeshtësinë e saj, qoftë në ekuivalencat e këngës që në rrethana të caktuara pëson modifikimin, siç paraqet kënga, tashmë e njohur, "Për ty Atdhe". Një simbiozë plotësisht e shkrirë me

tërësinë skenike.

Regjia (Altin Basha)

Regjia është kaptina më e veçantë e shfaqjes! Altini, për të realizuar në tërësi konceptin e vet regjisorial, nuk ka lënë asnjë vakum, cezurë apo skarcitet, sepse, përkundër një ngujimi që, po ta marrim si imagjinatë, s‘është gjë tjetër pos një monotoni e shtrirë në kohë, në pritje të një ‘epilogu‘ të shumtën e herës derisa të merret gjaku!) në lojën skenike kemi një dinamikë të kondicionuar, e cila nuk të lë të qetë, duke qenë edhe si shikues, spektator, pjesë e ‘lojës‘, pjesë e jetës dhe e fateve njerëzore. Në këtë drejtim, Basha është vetë maestroja, vetë "krijuesi i shfaqjes", Perëndia e Skenës që s‘shihet, Perëndia që është në secilin akt, në secilin veprim! Basha, i njohur tashmë për stilin e tij kërkues, eksperimentues deri në skajshmëri për gjetje e situata të reja konform kërkesave të kohës, gjithnjë duke pasur parasysh edhe ligjet skenike të njohura që nga antikiteti, të pasuruara kohë pas kohe, shekull pas shekulli, periudhë pas periudhe, deri te ‘komoditeti‘ që të ofron zhvillimi i teknologjisë në ato përmasa sa të duket divine ajo që përjeton si një spektator i sotëm, të cilën s‘do të mund ta imagjinonte dot as ai i djeshmi, as ky i sotmi...

Dhe, për të mos shkuar më larg, duhet nënvizuar gjithsesi, në fund, edhe fakti se suksesi i regjisë (Bashës) është rezultat edhe i bashkërendimit me asistentin Kled Kapexhiu. Një projekt madhor dhe kaq i suksesshëm domosdoshmërish vë në spikamë këtë binom.

"Allegretto Albania", një lojë kjo kolektive aktoreske, një skenografi impozante, një përjetim për t‘u dëshiruar në secilin sipar teatror, dëshmoi para shikuesve të Kosovës, për tri net me radhë, se si bëhet një spektakël teatror me një qasje serioze e profesionale, kur tek arti, kultura, reflektohen të parat defekte të një shoqërie në tranzicion. Kjo është tradita e arrirë me përgjegjshmërinë e atyre që e dinë, e duan dhe e realizojnë artin! Duke përgëzuar këtë ndërmarrje të madhe teatrore, pa dyshim që ndjehemi krenarë për faktin se ishim pjesëmarrës në këtë lojë me konotacione dhe arritje skenike shumë mbresëlënëse.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›