E Diel, 1 Nëntor 2026

Kiti Selmani: Unë, në Tiranë si Doruntina

Ajo është një trup i mbushur me dhimbje. Një vajzë, një motër, një grua që fati e çoi tej, "shumë male kaptuar". E thërrasin Doruntinë. Pjellë e një balade, një miti, një legjende që e shpërfill kohën. Kiti Selmani nuk e kishte menduar ndonjëherë që do të vishte petkat e këtij personazhi. Aq më tepër ta ngjiste në një skenë shqiptare. Aktorja e re, e larguar që në moshën 8-vjeçare nga Shqipëria, për një natë të vetme takoi fatin e Doruntinës. U rikthye në vendin e origjinës, krahas nënës shqiptare të baladës, Margarita Xhepës. Regjisori grek Sotiris Haxakit ngacmoi fuqishëm mitin, e preku në pikëtakimet greke, shqiptare, serbe, rumune dhe bullgare. Teksa qëndron e ulur në sallë, ndërkohë që në skenë vijojnë zhurmshëm përgatitjet e provave, Kiti duket se kundron befasinë e fatit. Në dëshirat e vogëlisë e shihte veten balerinë. Këto ëndrra i mbarti me vete në rrugëtimin që familja e saj kishte marrë drejt Greqisë. Babai muzikant, Kujtim Selmani, me vendimin e marrë e kishte ndryshuar rrjedhën e jetës së Kitit, asokohe një vajzë e vogël. Historinë e saj e tregon shqip. Ka edhe çaste që ngurron, mendohet të rrokë fjalët e duhura. Ngjan si një paracaktim që të tjerët të jenë pjesë e momenteve më të rëndësishme. Mësuesit e shkollës së baletit ku ushqente pasionin, i përsërisnin shpesh se ajo ngjante më shumë me një aktore. U deshën disa aktivitete të vogla që të mendonte seriozisht. Aktrimi u ngjiz tek ajo edhe me pjesën didaktike. Pas kësaj, ka provuar disa eksperienca modeste, tek-tuk ndonjë rol në film dhe shumë kohë kushtuar teatrit për fëmijë. Edhe sot vazhdon të merret me ta. "E bëj me shumë kënaqësi. Të luash teatër për fëmijë në skenë, jo përmes kukullave, nuk është aq e lehtë", tregon Selmani. Emri i saj nuk është nga ato rastet e hyrjes me bujë në botën e artit. Por fakti që regjisori i besoi të jetë një Doruntinë e pesë vendeve të Ballkanit, e ka nxitur të mendojë për më tej. Ndjehet e emocionuar që ky personazh e prezanton për herë të parë me publikun shqiptar. Aq më tepër, e ka vendosur në krahë të aktoreve të karrierës, shqiptares Margarita Xhepa, rumunes Maia Morogenstern, e njohur për interpretimin e saj në filmin e Mel Gibson, "Pasioni i Krishtit", dhe grekes Maria Katsiadaki. "Ky rol ka qenë i vështirë për t‘u realizuar. Nuk jam një Doruntinë vetëm shqiptare, por edhe e baladave që vijnë nga vendet e tjera të Ballkanit. Për më tepër, ishte i pari rol i një përmase të tillë për mua", shprehet aktorja. E njihte versionin shqiptar që më parë, e po ashtu edhe atë grek që kishte mësuar në shkollë. Kjo përvojë ishte një sprovë për të, që ndoshta do t‘i hapë rrugë për ftesa të tjera. "Jam emocionuar shumë nga interpretimi në shqip. Jo vetëm kur dëgjoja Margaritën, por edhe kur këndoja "Moj e bukura more".

I pëlqen shumë tragjedia, veçanërisht ajo antike greke. "Që në kohën e shkollës e kisha shumë pasion tragjedinë. Biblioteka e dhomës sime është e mbushur plot me të tillë libra. Janë shumë role ato që do doja të luaja. Për disa nuk jam gati. Drama kërkon shumë punë e njëkohësisht duhet të bashkëpunosh me një regjisor që e ka në dorë atmosferën", thekson Kiti. Ka qenë e shpeshtë pyetja që i kanë bërë për një interpretim në shqip. Mendon se do ta provonte nëse do t‘i ofrohej një rol që i përshtatet dhe të cilin mund ta realizojë. Kthimi në Tiranë e ka mbushur edhe me nostalgji. Është qyteti ku ka lënë ca gjurmë fëmijërie. "Kisha shumë mall të ecja rrugëve, të shihja shtëpinë ku kam lindur...". I thotë gati me një naivitet që ia përforcon shprehja e fytyrës. Pas Tiranës, bashkë me trupën udhëton në Serbi, Bullgari, Rumani dhe turneut mund t‘i shtohet edhe ndonjë vend tjetër. Do të vazhdojë të jetojë, të mendojë e të ndiejë si Doruntina. Ky interpretim e ka shënuar mes emrave që lakohen në aktrim. Më parë ka provuar të bëjë edhe ndonjë rol në film. Një prej tyre është roli i një nuseje te filmi i Pandelis Vulagrit, "Nuset". Ende nuk është në gjendje të zgjedhë apo të përshkruajë se ku e gjen veten; në teatër apo në film. "Mendoj se janë dy gjëra të ndryshme. Secila ka magjinë e vet dhe kërkon në çdo rast mjeshtëri të veçantë aktrimi. Kur kam luajtur film isha 19-20 vjeçe dhe ishte një tjetër atmosferë pune. Teatri ka qenë një moment pune i vërtetë. Aktorët e tjerë krah teje, regjisori, janë një siguri më shumë. Ndoshta kur të kem në film një rol të krahasueshëm me këtë që po interpretoj në teatër, atëherë edhe mund të jem më e qartë", tregon aktorja. Për momentin ajo po përjeton suksesin e një investimi që ka bërë këto vite. Rolet që mund të vijnë më vonë, janë ende të panjohura për të. Me kthimin në Greqi do t‘i kthehet sërish punës me fëmijët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›