E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alma Kovaçi, shqiptarja që "çmendi"Amerikën

Nga Gert Serani
Për ish-volejbollisten e kombëtares shqiptare, Alma Kovaci shumë gjëra kanë ndryshuar. Nëse më parë shkëlqente në parket si lojtare këtë radhë është protagoniste si trajnere dhe jo në Shqipëri, as Evropë, por shumë milje larg në Amerikë. Emigracioni i shumtë i shqiptarëve në të ashtuquajturën tokë e premtuar, ka tërhequr edhe shqiptaren Kovaci që me talentin e saj ka befasuar cilindo në këtë shtet të stërmadh që nuk kanë nguruar ta zgjedhin si numrin një të pankinës. Pas aventurës katër vjecare si ndihmës teknike te skuadra e "Black Knights" ku ka patur një rol kyc edhe në Ligën Amerikane "Patriot League Tournament", në fillim të 2007-ës, Kovaci mori postin e trajneres në Akademinë Ushtarake në Amerikë duke u bërë e femra e shtatë që drejtonte në harkun kohor të 29-viteve. Forma e mirë e saj ishte vënë re nga shumë specialistë në ndeshjet e kampionatit, të cilët nuk hezituan që ta zëvendësonin me amerikanen, Glen Konli, e cila pranoi me shumë dashamirësi shqiptaren. "Ne jemi shumë të lumtur që sot do të zgjedhim si trajnere Almën". Ishin këto fjalët e para të drejtoreshës së Akademisë, Kevin Anderson. "Glen Konli ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kohës së saj në kampionat gjithashtu edhe Alma ka meritën e saj në sukseset që ne kemi arritur. Të gjithë së bashku ndihemi shumë të sigurt se Alma është një nga drejtueset më të mira të vendit. Nuk ka dyshim që ajo është femra më e përsosur që do të na dhurojë trofe të tjerë", vijoi Anderson. Falë punës të palodhur të Konlit dhe Alma Kovacit, nga radhët e kësaj akademie u përzgjodh si lojtare e vitit në 2004 në "Patriot League", Keitlin Mahon dhe pikëshënuesja më e mirë e Konferencës në vitin 2005, Abi Kashiato. "Jam jashtëzakonisht e lumtur që drejtoresha Kevin Anderson po më jep mundësinë të drejtoj akademinë", tha Kovaci në momentin e prezantimit. "Kolegia ime Glen Konli ishte një udhëheqëse e shkëlqyer dhe nëpërmjet saj unë jam tani në krye të akademisë. Jam me të vërtetë shumë e nderuar që do të kem fatin të vazhdojë punën me një grup vajzash kaq fantastike. Jam e sigurt se të gjitha së bashku do të ngrejmë lart emrin e kësaj akademie falë edhe eksperiencës sime katër vjecare si ndihmës trajnere", vijoi Kovaci. Në vijim shqiptarja nuk la pa falenderuar edhe stafin drejtues. "Jam shumë me fat që kam përkrah një staf të shkëlqyer. Me ndihmën e tyre ne do të cojmë edhe më lart sukseset e akademisë", përfundoi ish-volejbollistja e kontingjentit kuqezi. Përpara 2006-ës Kovaci ka marrë pjesë në turneun e "Women Coaches Academy in Colorado Springs". Ajo ka qenë një ndër 25 trajneret femra e përzgjedhura në këtë aktivitet. Në janar të 2005-ës, Kovaci ka qenë dhe pjestare e ekipit kombëtar të Shqipërisë në kampionatin botëror të volejbollit, i cili u mbajt në Shefild të Anglisë. Alma Kovaci gjatë qëndrimit në Amerikë ka luajtur në Ligën Profesionale të Volejbollit me skuadrën e "Grand Rapids Force".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›