E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala, që nga minuta e parë kundër Borusias së Dortmundit

Albania-Sport - Mesfushori shqiptar i Hanover 96-s, Altin Lala, është përzgjedhur nga trajneri i skuadrës së tij gjermane, për ndeshjen e radhës në Bundesligë, atë në fushën e vet kundër Borusias së Dortmundit. Shtatshkurtri i kombëtares kuqezi figuron në skemën 4-5-1 që trajneri i skuadrës vendase ka zgjedhur të aktivizojë për sfidën kundër Borusias, e cila renditet në vendin e nëntë, me 28 pikë, dy pikë prapa Hanoverit të vendit të shtatë.
Altin Lala ka luajtur të shtunën e shkuar gjatë gjithë ndeshjes që skuadra e tij, Hanover 96-a, zhvilloi në "BayArena" kundër Leverkusenit vendas dhe që u fitua nga miqtë me rezultatin 1-0. Skuadra e mesfushorit shqiptar ka kaluar në epërsi pas vetëm 7 minutash lojë, me atë të Jan Rozentalit, dhe ka arritur ta ruajë këtë rezultat deri në përfundim të takimit, të vlefshëm për javën e 22-të. Para 10 ditësh, shqiptari e ka zgjatur edhe me dy vjet të tjera kontratën e tij me Hanover 96-n.

Ja dhe formacionet e mundshme:
Hanover 96: Enke - Sherundolo, Vinicius, Zurav, Tarnat - Balitsh, Lala - Rozenthal, Jankov, Hushzti - Hashemian (Shtajner).
Borusia Dortmund: Vaidenfeler - P. Degen, Brzenska, Metzelder, Kringe - Kruska - Sahin, Tinga, Riken - Smolarek (Valdez), Frai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›