E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpend Abazi humbet luftën për titullin e botës

Shpend Abazi ka dështuar në përpjekjen e tij të parë për të fituar titullin e kampionit të botës në versionin IBF për peshën "featherweight" (deri në 58 kilogramë). Shqiptari 28-vjecar që bokson nën flamurin danez ka pësuar humbje nga amerikani Robert Guerrero në luftën e zhvilluar të premten në mbrëmje në palestrën "Falconer Center" të kryeqytetit danez, Kopenhagë.
Lufta e paraparë që të zgjasë 12 runda është ndërprerë nga gjyqtari në rundin e 8-të për shkak të gjakderdhjes në arkadën e syrit të djathtë boksierit shqiptar, duke i dhënë kështu amerikanit Guerrero një tjetër fitore me nokaut. Megjithëse meci ishte zhvilluar në "shtëpinë" e Abazit, boksieri i lindur në Tetovë të Maqedonisë nuk ka mundur që ta shfrytëzojë këtë fakt. Para se të përfundonte meci Guerrero kishte rrëzuar dy herë në "nokdaun" Abazin. Së pari në rundin e tretë dhe së dyti në rundin e pestë.
"Pësova goditje të rënda shumë herët. Më pas gjakderdhja më mundonte dhe ishte vendim i rregullt për të ndërprerë mecin", ka thënë Abazi pas përfundimit të luftës më të rëndësishme të karrierës së tij. "Bëra atë që munda", ka shtuar ai.
Humbja e pësuar të premten është e dyta në karrierën e tetëvjecare të Abazit në ringun profesionist dhe me siguri do t'i kushtojë me disa pozita në renditjen botërore të federatës IBF, ku qëndronte në vendin e katërt para humbjes me Guerreron.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›