Donald Suxho shkëlqen në debutimin me Prisman
Në fund të ndeshjes, trajneri i KoprAtlantide Piaçenca e përkufizoi "një lojtar të shkëlqyer". Një kompliment i madh që erdhi nga drejtuesi i kampionëve të Italisë në volejboll për meshkuj. Edhe pse e ka nisur me humbje (3:1) aventurën përtej Adriatikut, Donald Suxho, pjesëtar i Kombëtares amerikane të top-rrjetës ka entuziazmuar rreth dymijë të pranishmit në pallatin e sportit, "PalaMacola". "Kjo humbje nuk duhet të na e ulë moralin, edhe sepse në pjesën e parë të ndeshjes u shfaqëm si të barabartë me kampionët në fuqi, që së fundmi fituan edhe Superkupën", nënvijëzoi Suxho. "Humbja erdhi për shkak të rënies tonë fizike, pikërisht në momentin kur kundërshtarët ngritën ritmin. Duhet thënë se vuajtëm disi. Gjithsesi, ndiej keqardhje mbi të gjitha për setin e parë, ku kishim shumë shërbime për pikë, të cilat nuk arritëm t‘i shfrytëzonim si duhet. Kjo do të na kishte dhënë mundësi për të kaluar në avantazh. Luajtëm mirë në mbrojtje, por ajo që na mungoi ishte shpejtësia në kundërsulme". Volejbollisti i lindur në Korçë 33 vjet më parë realizoi katër pikë, ndërsa karakteristika që ra më shumë në sy ishte rrezikshmëria e tij në shërbim.
e. k.
e. k.