E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, në parket me "Dream Team Usa"



Barak Obama zbret në parket: presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka luajtur në "Dream Team Usa" të NBA. Obama në fakt ka luajtur përkrah yjeve të kampionatit të basketbollit më të famshëm në botë për një eveniment bamirësie i organizuar për veteranët e luftës. Në parket me kreun e shtetit kanë qenë fenomenë si LeBron Xhejms, Mexhik Xhonson, ndërsa Kobi Brajant ka qëndruar në pankinë. Kjo ka ndodhur në një palestër ushtarake të Uashingtonit, ku së bashku me presidentin afro-amerikan janë shfaqur edhe lojtarë të kalibrit të Karmelo Entonit, që është edhe basketbollisti që ka shënuar më shumë kosha nga të gjithë të tjerët. Më pas Obama, i cili ka festuar 49-vjetorin e tij në mes të javës së kaluar, ka ftuar për një barbekju në Shtëpinë e Bardhë disa nga miqtë e tij më të afërt, si edhe disa yje të kampionatit të NBA. Edhe menuja e rezervuar për të ftuarit ka qenë politikisht mjaft e zgjedhur: Përveç salsiçeve që nuk mund të evitoheshin, kishte edhe karkaleca të Gjirit të Meksikës, të cilët ishin të ngrënshme sipas autoriteteve amerikane, pavarësisht produkteve kimike që janë hedhur në det për të pastruar ujin. Ky ishte gjithashtu edhe një mesazh për të qetësuar popullsinë amerikane për produktet që përdorin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›