E Diel, 1 Nëntor 2026

Alpetrol përcakton kriteret për shkarkimin e punonjësve



Jonida Tashi
Punonjësit e kompanisë naftënxjerrëse Alpetrol do të pushohen nga puna sipas disa kritereve të përcaktuar nga vetë drejtuesit e kësaj kompanie. Kjo e fundit ka bërë një studim lidhur me kualifikimin, vjetërsinë, kategoritë e punës, arsimin, kushtet sociale të punonjësve etj, i cili do të ndihmonte në përcaktimin e kritereve për vlerësimin e shkurtimeve. Ndërkohë mbi bazën e studimit janë caktuar kriteret dhe vlerësimi me pikë i punonjësve. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis disa sindikatave të naftës dhe kompanisë është realizuar falë ndërmjetësimit të Ministrisë së Punës. Ditët e fundit, në vijim të takimeve që ministri i Punës, Kosta Barka, ka zhvilluar me sindikatat e naftës në lidhje me shkurtimet që do të ndodhin në stafin punëmarrës, pas privatizimit të AlbPetrol dhe me porosi të tij, një përfaqësi e Ministrisë shkoi në Patos për ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve midis disa sindikatave të naftës dhe Kompanisë. Sikurse është bërë e ditur, në këtë sektor do të shkurtohen rreth 1200 punonjës, nga 4922 punonjës që janë gjithsej. Grupi i ndërmjetësimit të Ministrisë u vu në dijeni nga stafi drejtues i Albpetrol, se me qëllim të zbutjes së pasojave sociale, por edhe rritjen e efektivitetit dhe të aftësisë konkurruese të ndërmarrjes, shkarkimi i punëtorëve të kësaj kompanie do të bëhet sipas kritereve që ata kanë përcaktuar. Në takimin ndërmjetësues, përfaqësuesit e të dy grupimeve sindikale ranë dakord me kriteret e vlerësimit dhe kërkuan garanci për zbatimin e tyre nga drejtuesit e Kompanisë. Drejtuesit e Albpetrol i siguruan sindikatat se procesi i riorganizimit të ndërmarrjes, do të kalojë nëpërmjet një transparence maksimale dhe premtuan se bashkëpunimi me sindikatat do të vazhdonte gjatë të gjithë kësaj kohe. Në zbatim të angazhimeve të shprehura në programin e Qeverisë për nxitjen dhe zhvillimin e dialogut social, si dhe në funksion të misionit të saj, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, po bën përpjekje për përmirësimin e klimës së marrëdhënieve të ndërsjellta me parnerët socialë, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e dialogut social.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›