Shenja jete nga Gjermania për 30–vjeçarin nga Berati, Ymer Pone
Fati i një familjeje të varfër nga Berati ndikoi shumë herët në psikologjinë e djalit me të vogël të saj. Ai shpeshherë binte në mendime të thella kur shihte nënën e vetme tek mundohej çdo ditë për të ushqyer pesë të vegjlit e saj. Nga ana tjetër, hekurat e ndryshkur të burgjeve komuniste i kishin ngujuar babain prej mëse 8 vitesh dhe ngandonjëherë i duhet të bënte rolin e tij në shtëpi. Vitet kalonin dhe portretet e pjesëtarëve të familjes së tij i dukeshin gjithmonë e më të trishtuara, gjithmonë e më të vrara. Kishte ardhur koha që ai të lëvizte, të bënte një hap përpara, që ndoshta do t’i ndryshonte jetën atij dhe familjes së tij. Shumë shpejt do të niste kështu kalvari i peripecive dhe vuajtjeve të një 25-vjeçari, i cili shihte plot shpresë mundësinë e kurbetit. Data e 10 shtatorit të vitit 2001 do të shënonte një kthesë sa të vështirë, aq edhe triumfuese për ëndrrat e një jetese më të mirë për djalin nga fshati Bardhaj, Ymer Pone. Ai la pas motrën e sëmurë dhe nënën e tij, Ankon, e cila nuk mund të mendojë më për asgjë tjetër veç për djalin e saj të vogël që e rriti me aq mund. Ymer Pone u largua para 7 vitesh në drejtim të Italisë së bashku me një mikun e tij dhe që atëherë nuk u kthye më në shtëpi. Ndonëse udhëtimi drejt shtetit italian ishte një luftë mes vdekjes dhe jetës, ai arrin të kapërcejë gjithë atë hapësirë kilometrike ujore dhe të gjendet në mes të Italisë shëndoshë e mirë. Gjen mundësinë të telefonojë motrat e tij dhe u jep lajmin e ankthshëm se kishte mbërritur mirë në shtetin fqinj. Pas dy muajsh Ymeri telefonon sërish në familje, këtë herë nga shteti i Zvicrës. Shumë shpejt do të gjendej në një tjetër hapësirë europiane, në Gjermani, nga ku bëri edhe telefonatën e tretë dhe të fundit me familjen. Në këtë telefonatë ai i kërkoi motrës së tij, Fluturës, t’i dërgonte pasaportën sepse i duhej për të bërë dokumentet. Gjithçka përgatitet me kujdes nga motra e tij, por pasi 30-vjeçari u thotë familjarëve se e kishte marrë pasaportën, humbet përgjithmonë. Mungesa e gjatë e tij e detyroi familjen e tij të varfër që t’i drejtohej “Njerëz të humbur” duke mos marrë asnjë përkrahje nga instancat e tjera shtetërore. Me trajtimin e rastit “Pone” në “Njerëz të humbur”, të shtunën mbrëma në Televizionin Vizion Plus, vërshuan mjaft telefonata nga emigrantë shqiptarë që jetojnë në shtetin gjerman. Me i lakuari ishte qyteti Alterburg, ku e kishin parë Ymerin shumë herë. “Njerëz të humbur” u lidh po këtë mbrëmje me bashkëpunëtorët tanë në shtetin gjerman, ku u arrit të merrej vesh edhe identiteti i ri që Ymer Pone mban aktualisht në këtë shtet. Vullnetarë dhe bashkëpunëtorë të emisionit dhanë sinjale pozitive për ekzistencën e 30-vjeçarit në Gjermani, por gjithçka mbetet në konfidencialitet deri në një komunikim me Yemr Ponen, i humbur që prej vitit 2005.
6 Maj 2008