Edlira Bako njeh nënën në “Njerëz të humbur” pas 30 vitesh
Trokiti në “Njerëz të humbur” me një gjysmë shprese, por Aida Shtino i dha mundësinë asaj të njihte nënën që e kishte sjellë në jetë. Përfundoi suksesshëm historia e kërkimit të nënës biologjike të Edlira Bakos. Vajza 30-vjeçare kishte ardhur në jetë në datën 23 janar të vitit 1978 në maternitetin e Tiranës. Sapo ka lindur ajo është dërguar në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, ku ka qëndruar deri në moshën 2-vjeçare. Në fund të muajit mars të vitit 1980 Edlira birësohet nga Todi dhe Vida Bako, me banim në Fier. Qëkur ishte e vogël ajo merr vesh se ishte birësuar, por pas vdekjes së prindërve birësues ajo merr vesh se nëna e saj biologjike quhej Ana Voja. Kurioziteti për të ditur diçka më shumë rreth saj dhe familjes nuk e la për asnjë moment të qetë Edlirën. Kur realizoi ëndrrën e çdo vajze për t`u martuar dhe për të sjellë në jetë një fëmijë, atëherë filloi ta kuptonte se njohja e nënës që e kishte sjellë në jetë po bëhej një fakt mbizotërues në jetën e saj. Ecejaket e Edlirës filluan të vështirësoheshin. Divorci nga bashkëshorti më të cilin ajo kishte menduar të kalonte jetën e saj ia bëri gjërat edhe më të vështira. Do t`i duhej të rriste e vetme vajzën, do t`i duhej t`i kapërcente e vetme pengesat e njëpasnjëshme dhe mbi të gjitha nuk do të kishte në krah një figurë së cilës do t`i kërkonte mendim sesi mund t`i kalonte ato pengesa pa u vrarë. Dhe nuk duroi më, por troket në “Njerëz të humbur” për t`i dhënë fund këtyre maktheve. Kërkimet e para u përqendruan në shtëpitë e fëmijës aty ku gazetarët e këtij emisioni mendonin se do të gjenin një përgjigje sado shpresëdhënëse rreth fatit të nënës së saj. Përpos faktit se nëna kishte të njëjtin identitet të cilin ajo e kishte zbuluar kohë më parë, stafi i Aida Shtinos zbuloi se ajo ishte nga Vlora. Ditët kalonin, por edhe javët gjithashtu dhe ankthi filloi të rritej instinktivisht brenda qenies së Edlirës. Nëna e saj u bë e gjallë, por ndodhej larg kufijve shqiptarë. Aida Shtino mendoi të realizonte takimin e tyre nën objektivin e kamerës së Vizion Plus. Kështu që rasti u la në heshtje për pak kohë. Momenti erdhi!Nëna e Edlirës vjen nga Greqia dhe pak nga pak do të realizohej takimi mes tyre. Atë ditë, Edlira nuk e kishte kuptuar aspak se në intervistën me gazetaren kjo e fundit i kishte përgatitur një surprizë. Teksa i përgjigjej pyetjeve të saj, nga pas nëna e Edlirës e pushton vajzën dhe për disa momente fjalët u zëvendësuan nga emocionet, lotët dhe përqafimet pa fund mes një nëne dhe bijës së saj. Nuk menduan për asnjë moment t`i kërkonin njëra-tjetrës shpjegime rreth kësaj ironie fati, por mjaftoheshin vetëm me faktin se pas 30 vitesh ato ishin bashkë. Përqafimi mes tyre sikur tregonte distancën e madhe të ndarjes mes tyre dhe donin ta plotësonin medoemos atë çast. Misioni i “Njerëz të humbur” përfundoi suksesshëm teksa Edlira një javë më vonë, e ftuar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus, tregoi momentet e atij takimi të shumëpritur. ”Atë ditë rilinda dhe kjo falë jush Aida”, - do të përfundonte përshëndetjen e saj Edlira Bako, e cila erdhi me një shpresë, por u kthye në shtëpi më një realitet, atë të gjetjes së nënës që e kishte sjellë në jetë.
SHËNIM
“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
6 Maj 2008