Publiku ynë hesht në vend të fishkëllejë komedinë e sarkazmës
Artan Mulla
Të shëtitësh në trotuaret e pista për të shijuar trokitjen e pranverës në Tiranë, është një mënyrë e mirë për të provokuar së brendshmi një frymëzim të zi; Të meditosh ndërsa shkel nëpër plehra, të synosh një ndjesi romantizmi të munguar ndërsa ndjen në fytyrë shijen alergjike të tymit të zi të makinave; të ecësh; të soditësh, të këqyrësh, të konstatosh peizazhin e ndotur te kryeqytetit me shpirtin e rrudhur prej ajrit të keq, të kuptosh dhe të protestosh vetëm në heshtje ndaj këtij realiteti, të gjitha këto përbejnë një arsye të fortë zhgënjimi të hidhur,që të ysht të pranosh se ti je pjesë e një komuniteti me instinkte të shuara, të cilit i mungon vetëmbrojtja, edhe kur jeton në rrezik; të nxitosh, të kalosh kryqëzimet me mushkërinë e tharë prej ndotjes së frikshme, të rrëqethesh prej realitetit të qelbur matanë, larg edhe afër, midis plehrave kryeqytetase qe digjen dhe sehirxhinjve viktima, të ndihesh viktimë e pabesisë që sjell mungesa e dëshirave të mira për ambiente normale, higjienë publike dhe pastërti, të gjitha këto përbëjnë gjithashtu dhe dëshminë e zhgënjimit më therës dhe perceptimin më ogurzi të një komuniteti të çoroditur, përmbi të cilin,si një vegim kobzi, shëmbëllen dështimi total i qeverisjes.
Vegimi i dështimit të qeverisjes zë fill nëpër rrugët me pluhur dhe plehra që kutërbojnë shpesh gjithandej; atmosferës së Tiranës i mungon oksigjeni në parametrat e nevojshëm dhe shumëkush e di se vështirë të gjendet një vend i paprekur prej terrorit ekologjik, sa për tu mbushur me frymë. Qendra e kryeqytetit ngjan me një peizazh ironie;midis makinave helmuese me shtëllungat e tymit të zi dhe resë depresuese të pluhurit që lenë pas, nënat shëtisin fëmijët e vegjël me karroca të pluhurosura dhe pensionistët e venitur, por edhe te papunët e shtuar dhe të trishtuar vërdallë, ngjajnë si sehirxhinj dëshmitarë të rrezikuar e të kotë të asgjëje dhe të gjithçkaje.
Në Tiranë gjithkush është i dënuar të thithë ajrin e tejndotur, por edhe të pijë ujë të rrezikshëm. Përshtypja se në kryeqytet qarkullon ujë i pakët por i dyshimtë, ndërsa epidemitë e të nxehtit kërcënojnë njëlloj shëndetin publik, në rastin më të mirë i shtyn njerëzit të blejnë ujë të ambalazhuar, që tregtohet në bidonë plastikë nëpër njësitë tregtare apo edhe në trotuare karshi diellit, jashtë çdo sigurie. Por njëlloj, jashtë çdo norme higjiene, jashtë çdo respekti për etikën civile, jashtë çdo perceptimi normal, nëpër ambiente të paregjizueshme, ku mbretërojnë pluhuri dhe plehrat, tregtohen edhe produktet ushqimore jetike, qumështi, mishi dhe frutat me çmime të çmendura.
E rrokur me një të parë, ky është imazhi vizual i kryeqytetit tonë,dhe ky është realiteti ynë që përfaqëson në njëfarë mënyre shkallën e civilizimit tonë. Kjo është hapësira e taksur për të jetuar. Gjithçka funksionon mërzitshëm, kaotikshëm dhe me një çoroditje totale që është pasojë e paaftësisë publike për tu organizuar dhe vetmenaxhuar. Ambiente gabim,vendime gabim, iniciativa gabim, ndryshime gabim dhe shumë pak përpjekje..Edhe pse kryeministri ynë shpalli muaj më parë nevojën e një strategjie mbarëkombëtare për pastrimin e plehrave që po mbytin territorin por edhe imazhin turistik të vendit,të zgjedhurve tanë me sa duket ju mungon emancipimi i nevojshëm për ti dhënë rëndësinë e nevojshme cilësisë së jetesës dhe kulturës mjedisore(që me sa duket ju mungon totalisht shqiptarëve).
Shtëpi e një komuniteti pa koeficientë të lartë ndjeshmërie dhe përgjegjshmërie, Tirana duket një qytet i braktisur nga politika e ditës; Tirana të kujton atë burrin e grindur që rruan përditë fytyrën e parfumosur,por morrat i ka në kokë dhe çorapet e palara i kutërbojnë. Si gjithmonë, politikanët e dy krahëve luajnë pik - pongun e interesave personale,dhe askush nuk ka marrë përsipër të bëjë konkretisht asgjë e asnjëherë për ruajtjen e parametrave të domosdoshme të sigurisë,të higjienës dhe të ambientit. Por jo vetëm kaq. Në përgjithësi,ekologjia e Kryeqytetit duket e braktisur edhe nga intelekti,nga arti,nga kapitali dhe nga institucionet e besimit. Fatkeqësisht mungojnë përpjekjet e faktorëve në vend për sensibilizimin e popullatës për një jetë të pastër në ambiente njerëzore, çka do të ndihmonte në rikrijimin e vetëdijes qytetare për sigurimin e jetës dhe respektimin e jetës dhe kjo mungesë është e pafalshme.
Tirana e ndotur është një faj i të gjithëve. Edhe pse klasa politike përfaqësohet nga një kualitet mediokër dhe dëshmi e sigurtë e kësaj, veç të tjerash, është edhe katastrofa ekologjike e Tiranës por edhe e gjithë Shqipërisë,përgjegjësia nuk është vetëm aty. Sepse, tej politikës, ekziston gjithashtu një pasion negativ ne pushtetin publik,në fuqinë popullore,në kulturën qytetare dhe në mentalitetin e njerëzve.Është kjo situatë alergjike së cilës i mungon kambana e alarmit. Duket sikur askush nuk shqetësohet për asgjë,edhe kur problemet janë të rëndësishme dhe jetike. Duket sikur komunitetit në përgjithësi i mungojnë reflekset e kundërshtisë. Shqiptarët qenkërkan kaq gjakftohtë e tolerantë, sa, ndërsa janë dëshmitarë të siguritë të katastrofës ambientaliste që ndodh në jetën e tyre, dhe ndërsa janë gjithashtu kaq koshiente për rrezikun e ardhshëm të shëndetit të tyre dhe fëmijëve të tyre, rrinë në pritje, rrinë thjesht në heshtje, në mosbesim, në pasivitet.
Është e çuditshme por edhe e pafalshme heshtja shqiptare përballe çdo situate të tillë,që në fund të fundit ndëshkon vetë ata. Në Shqipëri plasin shpesh kriza, padrejtësi, pabesi, të cilat i kanë rraskapitur shqiptarët gjithherë, por rrallë këto gjëra shkaktojnë revolta masive të organizuara në publik. Në vend që të ushtrojë dinamikisht pushtetin e tij për rregullimin e gjërave, publiku shqiptar hesht, toleron, nguron, harron ose e shumta kalon në një murmuritje pakënaqësie që shuhet pa filluar. Bie fjala, kriza e gjatë energjetike u shoqërua vetëm me disa deklarata të vakëta të opozitës, ndërsa pothuaj nuk pati asnjë protestë popullore, siç do kishte ndodhur patjetër në çdo vend të botës. Le të kujtojmë kërpudhën e Gërdecit, rrezikun ekologjik të investimeve energjetike në Vlorë, kërcënimin e epidemive, mungesën e ujit të pijshëm, apo edhe deklaratat e fundit të OKB për rritjen e sëmundjeve kanceroze në vend! Asnjë reaksion mbarëpopullor! Përballë këtyre momenteve, heshtja qytetare nga njëra anë dhe krizat politike në vend nga ana tjetër, janë shndërruar në një telenovelë të neveritshme, me po ata aktorë mediokër të politikës, që luajnë në po atë skenë bajate, ndërsa spektatorët bëjnë sehir dhe rreziqet presin pas dere. Popullata bën spektatorin e urtë, spektatorin e zhgënjyer e të lodhur nga mashtrimet në skenë dhe nga mediokriteti në skenë, ku absolutisht mungojnë vizionet e natyrisht edhe projektet.
Publiku ynë hesht, në vend të fërshëlleje e shpërfillë komedinë e sarkazmës, siç do duhej të ndodhte.
Indiferenca e pafalshme e një shoqërie,së cilës i janë liruar vidhat e besimit për ditën tjetër, ndikon drejtpërdrejt në thellimin e krizës së Drejtësisë. Ky pasivitet i rrezikshëm sa edhe politika e tranzicionit, ka kohëzuar me mungesën e drejtësisë në një shtet të “së drejtës”, që përbën një krize filozofike serioze e cila nuk interpretohet nga askush. Sociologët nuk ekzistojnë ose heshtin, analistët merren me politikë dhe me politikanët, në vend ti shërbejnë rritjes së kulturës popullore dhe kultivimit të qytetërimit; intelektualet janë të zhgënjyer, shkrimtarët veshëvarur janë rralluar, e s’ndihen. Të gjithë janë shndërruar në copëza pasive, ndaj nuk ka revolta, nuk ka protesta, nuk ka frymë popullore, dhe e gjithë kjo situatë ka provokuar këtë ambientim të rrezikshëm të shoqërisë, që gjithsesi duhet luftuar.
6 Maj 2008