Transporti urban, dalin në treg abonetë për këtë muaj
Emanuela Sako
Pas debateve të shumta mes SHKTQ-së, bashkisë, qeverisë dhe qytetarëve kanë dalë në treg abonetë për muajin maj. Shoqata Kombëtare e Transportit Urban ka hedhur në treg ditën e djeshme abonetë për 11 linjat e kryeqytetit. Kujtim Hyka, Sekretar i SHKTQ-së, sqaroi se vendimi për hedhjen në treg të aboneve u bë pas premtimit që kanë marrë nga qeveria për rritjen e çmimit të abonesë brenda këtij muaji. Qeveria dhe bashkia kanë hyrë në bisedime lidhur me këtë çështje dhe është vendosur për rishqyrtimin e projektvendimit për rritjen e tarifës së biletës. Duket se rritja e tarifës së udhëtimit po bëhet fakt i kryer. Ndërsa po kënaqen interesat e shoqatës, duket se të pakënaqurit këtë herë do të jenë qytetarët, të cilët do të lëvizin me para në dorë për të cilët do të jetë e papërballueshme rritja e çmimit.
Lëvizja
Sekretari i SHKTQ-së u shpreh se do të njihen të gjitha librezat e pensionistëve, veteranëve apo të gjitha kategorive që udhëtojnë falas. Sipas tij, kjo bëhet vetëm në të mirë të qytetarëve pasi shteti nuk ua subvencionon lëvizjen e lirë të qytetarëve. Me para në dorë do të udhëtojnë të gjithë qytetarët që nuk janë të pajisur me librezë apo nuk kanë blerë abone. Pikat e shitjes kanë qenë të tejmbushura, pasi qytetarët kanë kërkuar të blejnë medoemos abone, të cilat u bë pothuajse një javë që i prisnin. Ndërsa fatorinot nuk i kanë shpërndarë ato në linjat urbane siç ndodh zakonisht, por i kanë drejtuar qytetarët në pikat e shitjes. Ndërkohë që një pjesë e këtyre pikave, deklarojnë se nuk kanë abone për të krijuar krizë në tregun e tyre. Përfitimi në këtë situatë është se abonetë shiten shtrenjtë. Ndërsa të parat që shiten më shpejtë janë abonetë e studentit për shkak të kostos më të ulët që kanë. Qytetarët denoncojnë këtë rast, pasi shpeshherë iu ndodh që shitësit në këto pika, tu thonë që abonetë janë mbaruar, ndërsa qytetarët i kërkojnë atyre favor që t’i gjejnë ndonjë abone qoftë edhe me një vlerë më të lartë. Po kështu, ata japin porosi për blerjen e aboneve, ku kërkojnë të ruajnë disa abone dhe për familjarët e tjerë, të cilët qarkullojnë çdo ditë me linjat urbane. Shumica e familjarëve, përveçse janë në punë dhe u duhet të qarkullojnë, ata kanë fëmijët e tyre të cilët shkojnë çdo ditë në kopshte apo shkolla.
Kushtet
Qytetarët nuk pajtohen me kushtet e vendosura nga Shoqata e Transportit Urban, sipas të cilës, bileta duhet të bëhet 50 lekë, aboneja të bëhet 1500 lekë, ose kërkojnë subvencionimin nga shteti. Kjo situatë ka ardhur si rezultat e kërkesave të vazhdueshme nga shoqata,sipas të cilës, ata po dalin me humbje për shkak të ngritjes së çmimit të naftës. Shpeshherë qytetarët janë gjendur para Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër ndryshimit të çmimit të abonesë dhe biletës, pasi lëvizjet e tyre janë të shpeshta përqark kryeqytetit dhe nuk kanë mundësi të paguajnë tarifa të tilla. Protesta e qytetarëve para Bashkisë kanë qenë të e përsëritshme, pasi situata e vështirë për çështjen e aboneve ka qenë e komplikuar dhe me mjaft problematike gjatë vitit të kaluar dhe vazhdon të mbetet po e njëjtë. Një nga kërkesat e hershme të qytetarëve ka qenë që çmimi i biletave të ngelet 20 lekë. Në ndryshim nga Shoqata Kombëtare e Transportit Urban, që si operator privat ka kërkuar në vazhdimësi rritjen e biletës në 50 lekë. Në të kundërt, nëse qytetarët nuk duhet të paguajnë një tarifë kaq të lartë, atëherë Bashkia duhet të ndërhyjë, duke subvencionuar një pjesë të çmimit, deri në 20 lekë. Ndërsa çmimi real që duhet të paguajë një qytetar të mbetet 30 lekë.
6 Maj 2008