E Diel, 1 Nëntor 2026

I arrestuari Madani, zyrtari që “groposi” ministrin Mediu

Shkëlzen Madani dëshmoi mbi procedurën para prokurorëve. I arrestuari, autor i MEMO-s për Urdhrin Nr. 550 për Gërdecin

Habjon Hasani
Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, i arrestuar tri ditë më parë, ka qenë një nga aktorët kryesorë të dosjes “Gërdeci”, por përveç këtij fakti duket se Madani ka qenë pikërisht zyrtari që ka “qartësuar” përgjegjësitë direkte të Mediut gjatë deponimit në prokurori. Kjo për faktin se Shkëlzen Madani ka qenë zyrtari që ka bërë MEMO-n (propozimin e strukturuar) të Urdhrit Nr. 550, datë 25.04.2007 “Për zbatimin e vendimit nr. 138 datë 14.03.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni”. Ky është pikërisht urdhri që ka caktuar si vend Gërdecin dhe ka përzgjedhur në mënyrë arbitrare firmën kontraktore “Southern Ammunition”. Nisur nga ky fakt, Madani është marrë në pyetje nga prokurorët, ndërsa burime nga organi i Akuzës kanë theksuar se ai ka qenë i gatshëm që të tregonte ecurinë e procesit të hartimit të dokumenteve para prokurorëve.
Dëshmia
Ndërsa Madani ka qenë autor i MEMO-s (projekt-urdhërit), që “parafabrikoi” Gërdecin ai ka pranuar para prokurorëve se në hartimin e këtij urdhri u shmang tërësisht Shtabi i Përgjithshëm dhe MEMO e hartimit të këtij urdhri mbikëqyrej nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë. Pra, nga sa më sipër, është e qartë se që prej zanafille hartimi i urdhrit ka qenë tërësisht nën kontrollin e nomenklaturës që varej nga ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, ndërsa Shtabi i Përgjithshëm është lënë tërësisht “jashtë loje”. Madani e ka ndjerë veten para përgjegjësisë për vetë faktin se ndërsa atij i duhej të shpjegonte sesi e përpiloi projekt-urdhrin, prokurorët i treguan dhe kontratën mes Ministrisë dhe kontraktorit “SAC-Albademil”, të nënshkruar që në datën 19 prill 2007, pra plot gjashtë ditë para se urdhri të firmosej nga Mediu. Nisur nga fakti se Madani rezulton edhe anëtar i Kryesisë së Partisë Republikane, prokurorët i kanë mëshuar shumë dëshmisë së tij, duke qenë se ai ka pasur lidhje të ngushta me ish-ministrin Mediu. Kjo ka qenë me sa duket dhe arsyeja që ministri Mediu ka deklaruar pak ditë më parë, se mbi dëshmitarët është ushtruar presion dhe se ata janë pyetur për përkatësinë e tyre partiake. Megjithëse Madani ka folur kryesisht lidhur me urdhrat ku edhe vetë ai ka qenë i përfshirë, dëshmia e tij përbënte për hetuesit një moment shumë të rëndësishëm, pasi Madani ka qenë zyrtari që me ose pa dashjen e tij konfirmoi para prokurorëve mosimplikimin e Shtabit të Përgjithshëm në maskaradën ligjore të asaj që quhet “Dosja Gërdeci”.
Çelësi
Urdhri Nr. 550 i datës 25 prill 2007 përbën për prokurorët çelësin për gjetjen e përgjegjësve për “Dosjen Gërdeci”. Jo rastësisht prokurorët kanë arsyetuar (gjatë kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Mediu) se: “Urdhri 550, datë 25.04.2007, ka urdhëruar fillimin e një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie, pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti”. Sipas tyre, caktimi i Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve luftarake, në kushtet e ekzistencës së një përgjigjeje negative nga Shtabi i Përgjithshëm për rajonin e Bërzhitës, vinte në të njëjtën linjë me ofertën e datës 27 dhjetorit 2006 të kompanisë “SAC”, ku kërkohej që procesi i çmontimit të kryhej në një ambient në afërsi të Tiranës, çka ka mundësuar cenimin e sigurisë gjatë gjithë procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.

DOSJA E PROKURORISË: “Madani, hartues i urdhrit që projektoi Gërdecin”

3.1. Hartimi i projekt-urdhrit nr. 550 datë 25.04.2007 është bërë nga drejtori i Drejtorisë së IMBM-së (Shkëlzen Madani) nën mbikëqyrjen e ish-sekretarit të Përgjithshëm të MM, duke mos përfshirë strukturat e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorinë e Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin (DHLMK), pjesëmarrja e të cilave ka qenë e detyrueshme për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo veprimtari është në shkelje të nenit 17 të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me Urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 120 datë 18.03.2003, i ndryshuar me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes nr. 318, datë 17.05.2005, i cili përcakton rregullat për hartimin dhe qarkullimin e akteve administrative. Gjithashtu, ky urdhër i ministrit të Mbrojtjes, në përmbajtjen e tij, evidenton se nuk është i studiuar mirë dhe në përqasje me Vendimin e KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, nuk është i qartë në urdhërimet e tij dhe konkret për procedurën dhe mënyrën e zbatimit. Këto urdhërime bien në kundërshtim me pikën 9, paragrafi i dytë, kreu IV, Seksioni II, me titull “Rregullat e dhënies dhe zbatimit të urdhrave” të Rregullores së Jetës së Brendshme në FA, që parashikon se “Urdhri duhet të jetë i studiuar mirë, i qartë dhe konkret”.
3.2 Megjithëse në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdhrit nr. 550, është nominuar drejtpërdrejt kompania amerikane “SAC” për realizimin e këtij procesi.
3.3 Në pikën 4/a e në vijim, është parashikuar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të realizohet në terrenin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë. Ky urdhër në përmbajtje bie në kundërshtim me disa akte të tjera nënligjore dhe ka mundësuar krijimin e përfitimeve të padrejta për subjektet private të përfshira.

* Shkëputur nga kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu

Zyrtarët e Mbrojtjes, Prokuroria verifikon dokumentacionin për dhënien e licencave

TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka marrë në shqyrtim të gjithë praktikën e ndjekur nga dy ish -funksionarët e arrestuar të Ministrisë së Mbrojtjes për dhënien e licencave për përdorimin e lëndëve plasëse. “Grupi hetimor ka sekuestruar një sërë dokumentesh në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka nisur shqyrtimin e tyre, bënë të ditura të hënën burime nga Prokuroria e Tiranës. Forcat e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, arrestuan të shtunën e kaluar shtetasit: Shkëlzen Madani, 44 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Kadri Suli, 53 vjeç, ish-komandant i brigadës së logjistikës nr. 4300, pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Së bashku me ta u arrestuan edhe shtetasit: Aurela Çota, 25 vjeçe, me detyrë përfaqësuese e shoqërisë “Nitromak Albania” sh.p.k. dhe Ferdinand Hodo, 48 vjeç, me detyrë administrator i shoqërisë “Geoconsult” sh.p.k. Ndaj këtyre shtetasve, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, me kërkesë të prokurorisë, mori masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të “korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike”, “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve të realizuara me metoda speciale, mendohet se këta persona, në bashkëpunim me njëri tjetrin, janë përfshirë në afera korruptive në procesin e dhënies së lejeve për përdorim civil të lëndëve plasëse dhe dhënien me qira të objekteve ushtarake. Hetimet në lidhje me këtë çështje morën shkas nga denoncimi i bërë para katër muajsh në polici nga përfaqësuesi i një subjekti që pretendonte për abuzime nga ana e ish- funksionarëve të kësaj ministrie.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›