E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alpion: Identiteti, jo debat si toni i Kadaresë dhe Qoses

“Luftërat, varfëria, globalizimi dhe ndryshimi i sistemeve politike janë faktorët kryesorë qe sjellin emigracionin. Ky fenomen, që vazhdon të krijojë probleme politike dhe sociale në Perëndim, mbart historitë e trishtuara dhe ngulmimin e lodhshëm të miliona njerëzve në kërkim të një jete më të mirë”.

Akademiku dhe shkrimtari shqiptar në Britaninë e Madhe, Dr. Gëzim Alpion shtjellon temën e identitetit kombëtar shqiptar në shumicën e veprave të tij në gjuhën angleze, por veçanërisht në tre librat: “Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?”, “Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nene Tereza”, dhe “Sikur të Vdekurit të Dëgjonin”, që sapo është botuar këtu në Shtetet e Bashkuara nga shtëpia botuese “Globic Press” në Karolinën e Veriut. Libri “Sikur të vdekurit të dëgjonin” është një dramë e cila u vu në skenë fillimisht në Angli nga teatri Dreamscape, me regji të Marcus Fernando, fillimisht në vitin 2006 dhe së fundi në marsin e këtij viti. Aktualisht Dr. Alpion është lektor për Sociologji dhe Studimet e Medias në Universitetin e Birminghamit në Angli.

Dr. Alpion, doja t’ju pyesja fillimisht çfarë ju shtyu ju për të trajtuar këtë temë, pra emigracionin, dhe përse ky titull... ngjethjes “Sikur të vdekurit të dëgjonin?

Identiteti kombëtar dhe imazhi i Shqipërisë janë disa nga temat që unë i shtjelloj në librat e mi. Për mendimin tim, ka ardhur koha, për të mos thënë që jemi vonë, që intelektualët shqiptare, akademikët dhe krijuesit të angazhohen me seriozisht me çështjen e identitetit kombëtar. Kur të angazhohemi me këtë çështje, duhet që debati të jetë jo i tonit që përdorën Kadareja dhe Qosja sepse çështja e identitetit kombëtar është shumë më e rëndësishme se egoja personale.

Në lidhje me imazhin tonë, do të përmendja disa faktorë të cilët, mendoj unë, kanë ndikuar që fatkeqësisht në Perëndim, veçanërisht në Britani, imazhi i Shqipërisë të jetë negativ. Ka disa shekuj që fqinjët tanë në Ballkan kanë qenë të interesuar që ta ulin imazhin e Shqipërisë. Kohët e fundit, disa bashkatdhetarë në Perëndim që angazhohen në aktivitete kriminale, kanë bërë që të ulet edhe më tej imazhi i Shqipërisë. Komunitetet shqiptare, diaspora shqiptare si dhe i gjithë kombi shqiptar janë dënuar në mënyrë kolektive si rezultat i këtyre personave të papërgjegjshëm. Por le të mos harrojmë që arsyeja kryesore që Shqipëria ka një imazh negativ është niveli shqetësues i korrupsionit në Shqipëri.

Pra, në dramën time, titulli është me të vërtetë shqetësues, siç thoni ju, sepse nëpërmjet të “vdekurve” në këtë vepër në mënyrë direkte apo indirekte unë u drejtohem të “gjallëve”. Ne duhet të jemi më të angazhuar me temën e identitetit kombëtar dhe ta trajtojmë atë me integritet.

Dr. Alpion, ndërsa keni marrë vlerësime pozitive nga kritika në disa vende në Perëndim dhe në Azi për trajtimin pa doreza të temave “delikate” dhe “tabu”, pra jeni vlerësuar si një shkrimtar dhe akademik që nuk përfillni korrektësinë e tepruar politike, do të ishte me interes të dinim se si ka reaguar kritika në hapësirat shqiptare për dramën, si dhe për librin tuaj për Nënë Terezën?

Duke pasur parasysh që dramën dhe të gjithë librat e mi në Perëndim janë botuar në gjuhën angleze, dhe kohët e fundit një libër në gjuhën italiane, është disi e vështirë për kritikët shqiptare që të angazhohen me veprat. Ndoshta kur të botohen në shqip, do të ketë një angazhim me të madh. Deri tani në shtypin shqiptar dhe në hapësirat shqiptare është shkruar për veprat por me tepër nga gazetarët, dhe megjithëse ka pasur shkrime dinjitoze, nuk ka akoma një angazhim të kritikëve. Me sa di unë, vetëm një recencë e mirëfilltë nga z. Abdi Baleta është botuar në Tiranë.

Megjithatë me duhet të theksoj se intelektualët shqiptare në Perëndim kanë treguar interesim të vazhdueshëm. Kështu, për shembull, Dr. Altin Ilirjani, Editori i revistës shkencore “Albanian Journal of Politics” në Amerikë, disa herë ka kontaktuar studiues shqiptarë dhe të huaj për të shkruar recenca për librat e mi.

Ndërsa shkakton problem për vendet pritëse, sigurisht emigracioni krijon edhe një zbrazëti të shtresës intelektuale në vendin e origjinës, pra krijon të ashtuquajturin fenomenin e rrjedhjes së trurit. Flitet shpesh për përpjekje të qeverisë shqiptare për të joshur emigrantët që të kthehen në vendin e tyre.

Nga ana tjetër, emigracioni është një faktor i rëndësishëm ekonomik më të ardhurat që i siguron Shqipërisë. A duhet të kthehen intelektualët shqiptarë në vendin e tyre?

Largimi i trurit nuk duhet shikuar gjithmonë si një diçka tepër negative, sepse intelektualët shqiptarë në Perëndim mund të luajnë një rol pozitiv si për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, ashtu edhe për vendosjen e lidhjeve ndërmjet institucioneve kërkimore e shkencore në Perëndim dhe Shqipëri.

Por nuk duhet të harrojmë që intelektualët shqiptarë në Perëndim kanë punuar shumë për karrierat e tyre dhe vështirësitë janë të shumta. Në rastin tim, për shembull, dhe të bashkëshortes sime, na është dashur 23 vjet të punojmë për të ndërtuar karrierat që kemi në Perëndim. Dhe të kthehemi në Shqipëri pas një pune kaq të madhe nuk është edhe aq e lehtë.

Ajo që ne mund të bëjmë është të vendosim këto ura bashkëpunimi që përmendëm më parë, dhe të kemi projekte të përbashkëta. Në qoftë se ka iniciativa nga Tirana, Prishtina apo universitetet në Tetovë, unë jam i sigurt se kolegët e mi në Perëndim do të jenë të gatshëm për të bashkëpunuar.

Si e shikoni ju rolin e diasporës shqiptare në jetën politike të vendit? Me gjithë dëshirën e mirë për të ndihmuar Shqipërinë, a mund të jetë diaspora koherente dhe në të njëjtin ritëm me ndryshimet që ndodhin në Shqipëri?

Diaspora mund të luajë një rol tepër pozitiv, por duhet të kemi parasysh që diaspora shqiptare është relativisht e re. Nuk mund të realizohen shumë gjëra në 17 vjet. Diaspora jonë është shumë më e re se e fqinjëve tanë, italianët dhe grekët. Fatkeqësisht, tani për tani, diaspora jonë nuk është e organizuar (sigurisht që ka dallime mes vendeve të ndryshme). Elita shqiptare duhet të angazhohet më tepër me problemet e diasporës, në mënyrë që të mos e lëmë diasporën në duart e elementëve të papërgjegjshëm.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›