E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishët fluturues

Sot në Gjirokastër nis turneu i Dervishëve Rrotullues nga ansambli turk “Ashikët Bashkëkohorë të Rumiut”, ftuar nga “Argjiro” dhe “Art Kontakt”. Përmes një turneu ku përfshihen edhe Tirana e Prishtina, ansambli turk “Ashikët Bashkëkohorë të Rumiut” i përbërë nga dhjetë valltarë dhe pesë muzikantë do të sjellë për herë të parë për publikun shqiptar vallen e famshme mistike ‘Sema’, të frymëzuar nga poeti i madh dhe udhëheqësi shpirtëror i shekullit të 13-të Mevlana Xhelaledin Rumi.

Dervishët fluturues

Përmes një turneu ku përfshihen Gjirokastra, Tirana dhe Prishtina, ansambli turk “Ashikët Bashkëkohorë të Rumiut” i përbërë nga dhjetë valltarë dhe pesë muzikantë do të sjellë për herë të parë për publikun shqiptar vallen e famshme mistike ‘Sema’, të frymëzuar nga poeti i madh dhe udhëheqësi shpirtëror i shekullit të 13-të Mevlana Xhelaledin Rumi. Organizuar nga shoqata franko-shqiptare “Argjiro”, e mirënjohur tashmë për aktivitetet kulturore, në bashkëpunim me “Art Kontakt”, turneu i “dervishëve fluturues” përfshin tre koncerte në Kalanë e Gjirokastrës, në Akademinë a Arteve në Tiranë dhe në Amfiteatrin e Gërmiut në Prishtinë, respektivisht në datat 28 qershor, 30 qershor dhe 2 korrik. Përveç përvojës së parë të këtij lloji për publikun shqiptar, ky eveniment do të kontribuojë edhe për njohjen më nga afër të kësaj performance autentike dhe të poezisë e filozofisë nga e cila ajo ka lindur e është kultivuar prej shekujsh, duke fituar famë në botë e duke u kthyer në një nga simbolet e kulturës dhe trashëgimisë turko-islame të Anadollit.

Poezia dhe filozofia e Mevlana Xhelaledin Rumiut, mbi botëkuptimin e të cilit urdhri mistik Mevlevi u themelua pas vdekjes së tij në vitin 1273 në Konja të Anadollit, përfaqëson një kuptim dhe përvojë tejet personale, qoftë të doktrinës teologjike islame, qoftë të trashëgimisë së mistikës islame (sufizmit) e cila përmes kontakteve shekullore me besime e kultura të shumëllojshme si ajo perse, turke, indiane, madje edhe me filozofinë greke, pati kultivuar një kulturë gjithëpërfshirëse që pas pushtimeve mongole do të gjente strehë e do të lulëzonte më shumë në Anadollin e paqtë të Perandorisë Selxhuke e asaj Osmane. I lindur në Horasan të Afganistanit dhe i vendosur përfundimisht në kryeqytetin selxhuk, në Konja, pas një rrugëtimi të gjatë përmes hapësirës gjeografike e kulturore islame të asaj periudhe, poeti me origjinë perse i këndoi përmallimit të pashuar të njeriut për krijuesin e tij dhe aspirimit njerëzor për t’u kthyer në origjinën e tij, për t’u ribashkuar me Zotin si përfshirës i tërë krijimit dhe qenies, duke i thurur lavde jetës si kërkim dhe purifikim përmes moralit dhe urtësisë së përvojës e përvuajtjes dhe vdekjes si përmbushje e këtij kthimi ekzistencial. Një nga metaforat më të fuqishme të Rumiut është ajo e nejit, fyellit të shkëputur nga kallamishtja që vajton nga malli për origjinën e tij dhe dëshira për t‘u kthyer aty. Ekzistencën njerëzore Rumiu ia përngjason gjendjes së nejit. Njeriu për Rumiun është i vetmuar dhe i huaj në botë, por pikërisht vullneti dhe shpresa e pareshtur për t’u kthyer në origjinë duke e pranuar e jetuar jetën me dhimbjen e saj e bën atë madhështor. Ashtu si neji, njeriu për Rumiun duhet të kapet pas asaj çka është e bukur dhe e mirë, në një kuptim sa estetik aq edhe moral e filozofik, në një ankim të përvuajtur e të nënshtruar ndaj Zotit, duke afirmuar përfundimisht se gjithçka e krijuar nga Zoti si dhe përvoja jetësore me dhimbjen dhe ngazëllimin dehës të saj është, në thelb, e bukur, siç është dhe vdekja të cilën Rumiu e quan sheb-i arus, ‘nata e martesës’, pra e ribashkimit.

Performanca tradicionale e urdhrit Mevlevi, semaja, është pikërisht shprehje e këtij botëkuptimi ekzistencial. Dervishët të veshur thjesht me të bardha rrotullohen rreth vetes duke u përshpejtuar apo ngadalësuar sipas rimtit të muzikës e në një lloj harmonie individuale e të përbashkët duke përmendur Zotin e duke synuar një dehje rituale transcendentale ku çdo element është një metaforë e qenies dhe krijimit. Ndërsa synon përjetimin e çlirimit e të përhumbjes përmes kësaj dehjeje, semaja përmban edhe një element të fuqishëm disipline. Ajo kërkon një vetëzotërim të përsosur të trupit, çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet një harmonie të përsosur mes shpirtërores dhe trupores, moralit e mënyrës së të jetuarit, duke shpalosur kësisoj dualitetin e qenies si shpirt dhe trup, pa mohuar asnjë aspekt të krijimit, përkundrazi, duke e pranuar e lavdëruar atë në tërësinë e tij. Dhe ajo çka rrotullimi i dervishëve simbolizon më fuqishëm, është lëvizja themelore e çdo trupi në hapësirë, graviteti i përhershëm rreth të cilit sillet çdo qenie, përmes një cikli të pafund shkëputjesh e fuzionesh.

Shkrihu si dëborë

Krejtësisht i vetëdijshëm e pa kurrfarë arsyeje më troket në derë.

Kërkon dikë, të pyes.

Hënën. Hëna e plotë është brenda në shtëpinë tënde.

Me miqtë e mi marr vrapin rrugëve

Jam këtu, vjen një zë nga shtëpia por nuk ia vëmë veshin;

Vështrojmë qiellin.

Bilbili im i shtëpisë ngashërehet në kopsht si sarhosh,

Pëllumbat hapërdahen me thirrma të imëta. Ku, ku?

Është mesnatë dhe e tërë lagja janë zgjuar a kanë dalë në rrugë

Të shastisur. Hajduti i maceve është kthyer sërish,

E hajduti vetë mes tyre që thërret:

Po, hajduti i maceve është diku në këtë turmë.

S’do t’ia dijë njeri.

Shih, jam gjithmonë me ty do të thotë kur ti kërkon Zotin,

Zoti është në vështrimin e syve të tu,

Në idenë e vështrimit, më pranë teje se ti vetë,

E më pranë se gjithë ç’ke kaluar.

S’është nevoja të dalësh jashtë.

Shkrihu si dëborë,

Pastroje veten nga vetja.

Një lule e bardhë çel mes pezullisë;

Lerë gjuhën tënde të bëhet ajo lule.

Nga përkthimi anglisht i Coleman Barks

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›