Amerikanët muzikantë ndjellin turistë në Durrës
“Sezoni turistik në Durrës do të jetë i ngjeshur me aktivitete të shumëllojshme artistiko-kulturore, që Bashkia e Durrësit ka programuar për të argëtuar pushuesit dhe qytetarët durrsakë gjatë muajve të verës”, - deklaroi dje gjatë një prononcimi për mediat kreu i bashkisë, Vangjush Dako. Në këtë kuadër do të organizohen edhe një sërë koncertesh me grupe tepër të njohura, të huaja. Njëri nga këto grupe, i cili ka në repertorin e tij muzikën country, do të japë një koncert të madh në sheshin “Taulantia”. Grupi i njohur amerikan “The Ranchhands” ka mbërritur në Durrës në kuadër të turit të tij evropian. Ky grup muzikor tepër i njohur në Amerikë, pasi ka zhvilluar koncerte në Danimarkë e Suedi, ka mbërritur në Durrës për një koncert në sheshin “Taulantia”. Paraditen e së hënës pjesëtarët e grupit muzikor amerikan janë pritur në një takim të veçantë nga kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, i cili i ka uruar mirëseardhjen në Durrës. Dako ka deklaruar se “Bashkia e Durrësit e ka mbështetur këtë grup për arsye të vetë rrymës muzikore të veçantë që ai ka në repertor dhe që me siguri do të përbënte interes për artdashësit durrsakë, edhe në vijim të sezonit grupe të tilla të famshme muzikore nga SHBA, por edhe evropiane do të vijnë në Durrës për të kënaqur artdashësit durrsakë, si dhe pushuesit e shumtë”. Nga ana e tyre, pjesëtarët e grupit amerikan kanë falënderuar kryebashkiakun e Durrësit për mikpritjen dhe kanë shprehur konsideratat e tyre tepër pozitive për një qytet si Durrësi, të cilin ata e cilësuan si tepër të veçantë. Më pas ata kanë kënduar live një këngë nga repertori i tyre, duke korrur duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve në pritjen që iu rezervua në Bashkinë e Durrësit. Grupi muzikor amerikan “The Ranchhands”, përbëhet nga Mickey Kennedy, Chris Tedesco, Charlie Chamberlain, Avery Gardner dhe Emmet Stallings. Ata janë nga Tenesi, SHBA, dhe kanë disa ditë që kanë ndërmarrë një tur evropian me këngët e tyre të rrymës country. Në turin e tyre shqiptar ata mbështeten nga ambasada e SHBA-së dhe Bashkia Durrës. Grupi amerikan pas koncertit në Durrës do të shkojë në Vlorë dhe në Tiranë e më pas do të vijojë koncertet në Letoni, Bosnjë, Francë etj.