E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasan Dosti, si e diskreditoi historiografinë komuniste

Me promovimin e librit “Hasan Dosti: Një jetë për çështjen shqiptare”, që u organizua të shtunën në Muzeun Kombëtar, u hoq shtresa e parë e konsiderueshme e errësirës me të cilën ka qenë e mbuluar një nga figurat më të spikatura të historisë shqiptare të shekullit të njëzetë. “Studimi i figurës së Hasan Dostit është në fillimet e tij”, - u shpreh historiani Beqir Meta, konsulent në përgatitjen e librit me kujtime, artikuj, intervista, letra dhe dokumente të ndryshme. Sipas tij, ajo kërkon një studim të thellë dhe shumëplanësh e ndarë në tri faza: aktiviteti i tij në periudhën e mbretërisë, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe në mërgim.

Në periudhën e mbretërisë, Hasan Dosti ka qenë një ndër juristët më të njohur në Shqipëri, por ka pasur edhe veprimtari politike. Gjatë luftës ai është një ndër themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të Ballit Kombëtar, delegat në Kuvendin e Mukjes, ministër Drejtësie përkohësisht dhe një ndër politikanët më këmbëngulës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Edhe në pushimet e seancave të Kuvendit të Mukjes, - tha historiani Uran Butka, duke iu referuar kujtimeve të Ymer Dishnicës, përfaqësues i delegacionit komunist në Kuvend - Hasan Dosti thërriste ‘Rroftë Kosova, rroftë Kosova!’”.

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ai emigroi dhe deri në vitin 1991, kur vdiq, ishte një nga figurat kryesore të diasporës shqiptare.

Libri, i botuar me përkujdesjen e familjes së Hasan Dostit, sjell dëshmi nga veprimtaria e tij në të tria këto periudha.

Për historianin Uran Butka, libri “Hasan Dosti...” ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse hedh dritë mbi ditën e themelimit të Ballit Kombëtar. Jo vetëm kaq, ai diskrediton edhe historiografinë komuniste, e cila deklaron si datë themelimi të organizatës nacionaliste të udhëhequr nga Mid’hat Frashëri, vitin 1942.

Uran Butka citoi gazeta të vitit 1939, të cilat shkruanin për krijimin e degëve të BK-së në Shkodër, Vlorë etj. Për librin “Hasan Dosti...” pastaj pyeti: “Si mund të krijoheshin degët e rretheve të një organizate që ende s’ishte krijuar?”

Sipas librit, por edhe një bisedë e incizuar e Hasan Dostit me Iqmet Delvinën në vitin 1977, e cila u dëgjua gjatë promovimit, Balli Kombëtar është krijuar në ditët e para pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939.

Historiani Sherif Delvina foli për Hasan Dostin si jurist, ndërsa historiani Muharrem Dëzhgiu, për vëmendjen më të madhe që historianët dhe institucionet përkatëse duhet të tregojnë ndaj kësaj figure.

“Ky libër paraqet aktivitetin politik-shoqëror-juridik të babait tim”, - tha dje djali i tij, Tomorr Dosti. “Ne, të gjithë si familje, jemi munduar t’i mbledhim materialet e tij dhe i kemi nxjerrë në pah në një botim të veçantë, në librin “Hasan Dosti: Një jetë për çështjen shqiptare”, ku paraqitet se babai ynë i ka kushtuar një jetë të tëre në shërbim të atdheut”.

Në librin “Mukja, një shans i bashkimit, peng i tradhtisë”, prof. Uran Butka jep një profil të plotë bibliografik të Hasan Dostit ku shkruan: Lindi më 7 tetor 1895, Kardhiq, Gjirokastër. U diplomua në Sorbonë të Francës për drejtësi dhe shkenca politike, u bë jurist i njohur. Dënohet më burg (1932-1935), për pjesëmarrje në një organizatë të fshehtë antizogiste “Lëvizja e Vlorës”; kryetar i Gjykatës së Diktimit (1938); bashkëthemelues i organizatës nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe një nga drejtuesit kryesorë të saj. Ministër Drejtësie në kabinetin e Mustafa Krujës (1942), por dha dorëheqjen pas katër muajsh, nga që nuk ishte dakord me pushkatimet dhe reprezaljet e qeverisë. Organizator në Kosovë i gjykatave shqiptare dhe aplikimin e legjislacionit bashkëkohor. Delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, ku ndihmoi në formulimin juridik të neneve të marrëveshjes, si edhe në debatin për çështjen e Kosovës. Kryetar i Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë, zgjedhur në Mukje. Së bashku me Mid’hat Frashërin dhe delegatë të tjerë të Konferencës së Mukjes, ndihmoi në ngjizjen e marrëveshjeve në Shqipërinë e Veriut në frymën e Marrëveshjes së Mukjes. U largua nga Shqipëria bashkë me krerët e Ballit Kombëtar (nëntor 1944) dhe jetoi në emigracionin politik, fillimisht në Evropë e mandej në SHBA. Pas vdekjes së Mid’hat Frashërit (1949), u zgjodh kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë. Vdiq në mërgim, në Los Anxhelos, në 29 janar 1991. Ka thënë: "Janë kurdoherë forcat e drejtësisë, të lirisë, të demokracisë që më së fundi fitojnë e drejtojnë fatet e kombeve. Tiranët, diktatorët dhe klikat e vendosura në pushtet kundër vullnetit të popullit, dënohen, përmbysen, zhduken. Kjo është ligja e njerëzimit dhe e qytetërimit. Diktatura e Enver Hoxhës me klikën e vogël të tij, përgjegjëse përpara kombit tonë, nuk mund t'i shpëtojë kësaj ligje të përbotshme e të përhershme të shoqërisë".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›