E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativa Civile: Ndal akteve që nxisin urrejtjen mes popujve

Alternativa Civile, konstaton se vendimi i autoriteteve greke për të mos lejuar futjen ne territorin grek të gazetarit shqiptar Marin Mema dhe vala e deklaratave politike që po shoqëron këtë incident, është duke prodhuar një mjedis aspak të favorshëm për marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.

Futjen e një gazetari shqiptar në listën e personave të rrezikshëm për shkak të reportazheve televizive që ai ka prodhuar në median ku punon, është një akt i paprecedent, jo vetëm në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjet e saj, por edhe mes vendeve të tjera të Europës. Duam të kujtojmë se edhe mes shtetit më të ri në Botë, Kosovës dhe Serbisë, ku mungon ende njohja formale e shteteve, nuk ka një qëndrim të tillë ndaj gazetarëve.

Do të ishte e keqja më e vogël nëse ky do të ishte një rast i shkëputur. Por ne mendojmë se mbërritja deri në vendimin për shpalljen e një gazetari si përson me rrezikshmëri për kombin grek, është në vazhdën e qëndrimeve greke, të cilat shkojnë në të kundërt të rrjedhës së zhvillimeve politike dhe ekonomike mes dy vendeve, por edhe zhvillimeve në rajon e kontinent.

Këto zhvillime kanë shkaktuar një valë zemërimi në shoqërinë shqiptare dhe një pjese të mjedisit politik, të cilët, me të drejtë, po demonstrojnë një revoltë të fortë kundër politikës zyrtare të Athinës dhe qëndrimit përulës të politikës së Tiranës. Të mërkurën, nga një forcë e re politike me tendencë në rritje, Aleanca Kuqezi, u emetua një deklaratë e fortë, e cila artikuloi deri edhe deklarata ekstreme si ajo e vendosjes së ligjit të luftës edhe nga pala shqiptare apo mosnjohjen e të drejtave të pronësisë së minoritetit grek në Shqipëri, derisa qeveria greke nuk njeh të drejtën e pronësisë së popullsisë came, të dëbuar nga tokat e tyre në territoret që ndodhen nën juridiksionin e shtetit grek.

Komentet në rrjetet sociale në Shqipëri tregojnë një aprovim në të gjërë të këtyre qëndrimeve, duke demonstruar një shkallë në rritje të urrejtjes shqiptare ndaj Greqisë. Rasti i fundit me gazetarin Marin Mema, tregon se shqiptarët kanë të drejtë në qëndrimin e tyre. Por ne çmojmë se kjo klimë nuk është në të mirë të askujt. Ky shtrat mund të përdoret nga forca politike me qasje nacionaliste ekstreme,  të cilat në emër të luftës politike mund të prodhojë një klimë armiqësore mes dy popujve.

Ne duam të tërheqim vëmendjen e autoriteteve greke, se nga shpërthimi i një vale të tillë urrejtjeve popullore, si ajo që po demonstrohet masivisht nga shqiptarët sot, nuk ka të fituar as në Tiranë e as në Athinë.

Alternativa Civile, dënon ashpër çdo veprim të autoriteteve greke që bie ndesh me lirinë e lëvizjes dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut, në dëm të shtetasve shqiptarë. Ne dënojmë ashpër çdo përpjekje të qeverisë greke për të shfrytëzuar pozicionin e saj në BE, për të ushtruar presion, për të përfituar në dëm të interesave ekonomike e kombëtare të Shqipërisë. Por, gjithashtu, ne dënojmë çdo përpjekje faktorëve, politikë ose jo, në Shqipëri për të nxitur, në emër të nacionalizmit, frymën e urrjetjes dhe armiqësisë ndaj popullit grek.

Ne kërkojmë nga autoritetet shqiptare, që përveçse të kërkojë shpjegime nga Athina për futjen ne listat e personave non grata të një gazetari, të fusë në listat e personave që nuk mund të futen në Shqipëri, të paktën të disa kriminelëve neonazistë grekë, të cilët për shkak të rrethanave në Greqi mbajnë mandatet e deputetëve, dhe që vijnë në Himarë të vendosin kufinjtë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›