Alternativa Civile: Të dënohen kamisionerët e Lezhës
Tiranë- Pas publikimit nga ana e prokurorisë së Lezhës të dosjes së manipulimit të zgjedhjeve vendore në komunën Dajç, Alternative Civile, reagon duke kërkuar një proçes gjyqësor të drejtë dhe konform ligjit, për ndëshikimin e komisionerëve, të cilët kanë manipuluar zgjedhjet.
Alternativa Civile çmon se provat e prokurorisë janë bindëse dhe drithëruese njëkohësisht. Ato janë një shembull i paprecedent, se si në një sistem demokratik, njerëzit që janë vendosur dhe paguahen nga shteti për menaxhimin e procesit zgjedhor, shndërrohen në shkatërrues të tij. Duke qenë të vetëdijshëm se vjedhja e votës është vjedhja nga e cila burojnë të gjitha vjedhjet e tjera, ne kërkojmë që gjykata të marrë seriozisht këtë proces, për të prodhuar precedentin e parë të dënimit të atyre që vjedhin votën e popullit.
Kjo çështje merr një rëndësi të madhe, pasi në mënyrë sistematike janë pikërisht komisionerët që janë bërë shkak i shkatërrimit të procesit në qindra qendra votimi në mbarë vendin. Janë ata që bllokojnë votimin, marrin vulën dhe zhduken nga qendrat e votimit, janë ata që bllokojnë numërimin e votave, që nuk firmosin procvesverbalet etj. Janë ata që u binden urdhrave politike të partive të tyre në mënyrë të verbert, ndaj dhe ligji duhet të veprojë me tërë forcën e tij për të treguar publikisht se ka ardhur koha, që fati i zgjedhjeve dhe demokracisë të mos varet më nga një grup matrapazësh.
Provat e paraqitura nga prokuroria që tregojnë se vetë komisionerët kishin plotësuar fletat e fotimit për emigrantët, të cilët ditën e votimit ndodheshin jashtë vendit, provat që tregojnë sesi ata kishin plotësuar listën e zgjedhësve duke shënuar numra fiktivë pasaportash e kartash indetiteti, tregojnë se kemi të bëjmë më shumë se me një falsifikim dokumentesh. Ky është një krim me pasoja të rënda.
Këtu nuk flitet thjeshtë për vjedhjen e mandatit të një kandidati për kryetar komune, por është një precedent që tregon se deri ku ka degjeneruar sistemi ynë zgjedhor. Të bindur se kjo është një masakaradë, aspak me karakter lokal, ne kërkojmë që kjo çështje të marrë tërë vëmendjn dhe rëndësinë e duhur.
Alternativa Civile do të monitorojë proçesin gjyqësor ndaj komisionerëve të Dajçit, me shpresën se gjykata nuk do të bëhet pjesë e kësaj maskarade.
Më poshtë ne po ribotojmë edhe një here dosjen e prokurorisë:
Hetimi i zgjedhjeve në një komunë në Lezhë ka zbuluar se si vetë komisinerët kanë votuar në emër të zgjedhësve që nuk kanë qenë fare në Shqipëri, duke shënuar numra pasaportash të rreme, numra kartash identiteti të rreme dhe duke firmosur vetë në emër të tyre. Pas një hetimi të hollësishëm, prokuroria ka dërguar në gjykatë tetë anëtarët e komisionit zonal zgjedhor të Komunës Dajcc në Lezhë. Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku të akuzuar respektivisht për kryerjen e veprave penale të Shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim, dhe të Falsifikimit të dokumentave dhe rezultateve të zgjedhjeve.
Në këtë komunë, Dajç në Lezhë kandidonin për kryetar komune Rrok Rroku, përfaqësues i koalicionit politik Aleancës për të Ardhmen dhe Gjergj Doçi i koalicionit politik Aleanca për Qytetarin. Në përfundim të zgjedhjeve Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve vendosi shpalljen fitues të Gjergj Gjin Doçit, i koalicionit Aleanca për Qytetarin.
Kundër këtij vendimi është bërë ankesë, në KQZ, por KQZ e ka lënë në fuqi. Edhe vendimi i KQZ-së është ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, i cili gjithashtu e ka lënë në fuqi, duke e rrëzuar ankesën e Partisë Socialiste.
Sipas njoftimit të prokurorisë, nga ana e shtetasit Rrok Rroku me cilësinë e kandidatit për kryetar komune në Komunës Dajç është paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë ndaj anëtarëve të komisionit të votimit të Qëndrës së Votimit me Nr.0699 të ndodhur në fshatin Dragushë, Komuna Dajç, rrethi Lezhë. Sipas kallëzimit penal, rezulton se në këtë qëndër votimi gjatë zgjedhjeve vendore të 8 Majit 2011 kanë votuar 264 votues nga 300 votues të regjistruar në listat e zgjedhësve. Nga verifikimet që kishte bërë vetë kandidati për kryetar komune Z.Rrok Rroku rezultonte se një numër më i madh personash, rreth 66 persona të cilët ishin emigrantë dhe nuk ndodheshin fare në Shqipëri në datën 8 Maj 2011 rezultonin se kishin votuar. Gjithashtu, edhe nënshkrimet, si dhe numrat e identifikimit në listën e zgjedhësve për këta shtetas ishin të falsifikuara.
Pas padisë së kandidatit Rroku, Prokuroria ka sekuestruar pranë KQZ-së Kutinë e Materialeve Zgjedhore të Qëndrës së Votimit Nr.0699, fshati Dragushë, Komuna Dajç. Në këtë kuti të materialeve zgjedhore ndodhej dhe Lista Përfundimtare e Zgjedhësve, për Qëndrën e Votimit. Nga kjo listë përfundimtare e zgjedhësve rezultonte se në datë 8 Maj 2011 në këtë qëndër votimi kishin votuar 264 votues dhe nuk kishin votuar 36 votues. Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se në bazë të informacioneve të policisë prej 264 votuesve, të cilët rezultonin se kishin votuar, 62 persona rezultonin zyrtarisht se ndodheshin jashtë shtetit në datën 8 Maj 2011.
Nga lista përfundimtare e zgjedhësve rezulton se prej shtetasve që kishin votuar 55 kanë votuar duke përdorur si mjet identifikimi pasaportat e vjetra. Sipasa policisë së Lezhës rezulton se 11 numra pasaportash, të shënuara në listën përfundimtare të zgjedhësve krahas emrave të votuesve, për votuesit që kishin votuar me pasaportat e vjetra, nuk u përkisnin në fakt numrave të pasaportave reale me të cilat ishin pajisur këta votues. Gjithashtu rezultonte se në listën përfundimtare të zgjedhësve numra pasaportash të cilat nuk ekzistonin fare të ishin lëshuar nga organet kompetente shtetërore.
Gjatë zgjedhjeve në këtë qëndër votimi rezulton se 209 votues kanë përdorur si mjet identifikimi në Qëndrësn e Votimit karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 31 numra kartash identiteti/paraportash biometrike të shënuara në listën përfundimtare të zgjedhësve nuk u përkisnin numrave të kartave të identitetit/pasaportave biometrike të cilat ishin lëshuar për shtetasit të cilët rezultonin të kishin votuar në këtë qëndër votimi. Prokuroria ka vazhduar hetimet për të mësuar se kush ka firmosu në emër të votuesve që nuk kanë qenë të pranishëm.
Në bazë të akt ekspertimit të firmave rezulton se në listën përfundimtare të zgjedhësve janë 109 nënshkrime votuesish të cilët rezultojnë të jenë shkruar nga të njëjtat persona. Po nga akt ekspertimi rezulton se 43 nënshkrime votuesish janë shkruar ose mund të jenë shkruar nga anëtarët e komisionit të qendrës së votimit. Nga ky akt ekspertimi rezulton se disa nga anëtarët e qendrës së votimit kanë votuar edhe për familjarët e tyre.
Sipas prokurorisë provohet plotësisht se të pandehurit Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku kanë kryer respektivisht veprat penale të Shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim, dhe të Falsifikimit të dokumentave dhe rezultateve të zgjedhjeve
/ IDEA/
Shkrime të tjera me interes:
- Lind “Alternativa Civile”, nevojë për një shoqëri civile më aktive Në mënyrë graduale, politika përcau dhe zhbëri sindikalizmin. Krerët e...