E Diel, 1 Nëntor 2026

Alternativa e investimeve s’konkurrohet nga xhaketat e vjetra të Edvinit e Ruçit

Përballë punës dhe investimeve të qeverisë, po shfaqet e pandryshueshme “politika e re” e xhaketës së Ruçit dhe Ramës. Kreu i qeverisë Sali Berisha deklaroi dje në Vlorë se me xhaketat e vjetra të Edvinit shkohet drejt të së shkuarës, ndërsa qeveria me ndërtimet, me rrugët, me shkollat, me përpjekjet e gjera për integrim, me ftesën e Shqipërisë për në NATO, e çon vendin sigurisht drejt së ardhmes, duke i lënë vendit si ishull të pareformuar vetëm opozitën ish-komuniste të Gramozit.

Investimeve dhe vendosmërisë së qeverisë për të arritur standardet evropiane në çdo fushë dhe në çdo sektor të vendit, po i kundërvihen nihilistët e opozitës, të cilët përpos mungesës së aftësisë dhe angazhimit për të kontribuar në procesin e zhvillimit të vendit, nuk heshtin, por luajnë pjesët e tyre të rëndomta teatrale, mashtrimin dhe spekulimin.
Gjatë tetë viteve me radhë, Shqipëria u dergj në një mjerim dhe skamje të paskrupullt dhe kjo në sajë të vulgarizimit dhe kleptokracisë në rritje, së cilës qeveria e atëhershme i kishte dhënë prioritet absolut. Në kontrast me zhvillimin dhe ndërtimin e vendit, qëndrojnë kritikat e pabaza të opozitës së Ramës dhe Ruçit, të cilët përveçse mashtrojnë opinionin publik me deklaratat e tyre, synojnë me zell të jashtëzakonshëm dhe në mënyrë abuzive, që të raportojnë para institucioneve ndërkombëtare, bëmat dhe mashtrimet e tyre, në dëm të imazhit të vendit dhe gjithashtu edhe të qeverisë. Mungesa e një kuadri të përcaktuar politik nga ana e opozitës dhe skarciteti i theksuar programor përballë alternativave të qeverisë për zhvillimin dhe integrimin e vendit, e detyrojnë klikën opozitare të tjerrë dhe të kacavirret pas mashtrimit dhe spekulimit. Në këtë drejtim, kryeministri Sali Berisha, deklaroi dje nga Vlora, ku zhvilloi një vizitë në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, ku realizoi inaugurimet dhe përurimet një serie veprave publike, financime të drejtpërdrejta të qeverisë dhe pushtetit vendor, se mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe premtimeve të mbajtura të qeverisë, që bazohen në ndryshimin, nëpërmjet rritjes së pagave, të pensioneve, nëpërmjet ndërtimit të rrugëve, të ujësjellësve, shkollave të reja, rritjes së investimeve, ka edhe një alternativë tjetër, ajo e mashtrimit, politika e re e xhaketës së Ruçit dhe Ramës.
“Ne po financojmë qindra e qindra projekte në mbarë vendin, duke u përafruar gjithnjë e më shumë me ëndrrën evropiane. Dje Komisioni evropian dorëzoi raportin, një raport, i cili ndryshon si nata me ditën, si e bardha me të zezën me raportin e viti 2005. Ky raport afirmon plotësisht luftën e suksesshme të qeverisë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, përpjekjen e madhe për ndërtimin e ekonomisë së tregut dhe të institucioneve të saj. Vlera e këtij raporti është jashtëzakonisht e madhe, sepse ne mbi bazën e këtyre specifikimeve bëjmë hapa të tjera drejt Evropës, mbi bazën e këtyre arritjeve ne do të paraqesim kandidaturën për statusin e kandidatit, natyrisht mbi bazën e një marrëveshje dhe negociatave. Natyrisht mbi bazën e këtyre vlerësimeve ne përcaktojmë objektiva të tjerë dhe mbi të gjitha mbi bazën e këtyre vlerësimeve ne do të realizojmë lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën. Përballë kësaj alternative e cila bazohet në premtimet e mbajtura, ka dhe një alternativë tjetër, ajo e mashtrimit, politika e re e xhaketës së Ruçit dhe Ramës”, deklaroi kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “me xhaketat e Rucit dhe të Edi Ramës shkohet drejt të së shkuarës ndërsa ne me ndërtimet, me rrugët, me shkollat, me përpjekjet tona për integrim, me ftesën e Shqipërisë për në NATO, ne ecim të sigurt drejt të ardhmes. Pra, karshi përpjekjes tonë ekziston dhe një alternative tjetër, e cila vetëm flet dhe vetëm akuzon, por nuk thotë asgjë. A është në traditën e shqiptarit të manipulojë vdekjen e dikujt? A mund të ndodh kjo në një vend të qytetëruar? Dhe këtë e bëjnë vetëm e vetëm për të përlyer kundërshtarin dhe vetëm për të ngritur karrierën e tyre. Por, a është kjo politika e re? Kjo është politika më primitive sepse për njeriun, që në lashtësinë e tij, një nga Kodet më rigoroze dhe më sublime është respekti ndaj atij që nuk është më. Imagjinoni se si mund të ndërtojë karrierën e tij një udhëheqës politik duke manipuluar me Kodin tonë më të lashtë. Ai përpiqet të servirë Gramoz Ruçin si politikën e tij të re. Por, të servirësh Ruçin si politikë të re, ne të gjithë e kemi një memorie dhe ai ishte ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit të diktaturës”, u shpreh kryeministri Berisha.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›