Kuvendi miraton marrëveshja me Hagën për të burgosurit serbë

Kuvendi ka miratuar dje marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës të burgosurit serbë, të dënuar nga Gjykata e Hagës, mund ta vuajnë dënimin edhe në Shqipëri.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish - Jugosllavinë” kaloi me shumicë votash dhe nuk u kontestua nga ndonjë deputet.
Sipas ligjit të ri, vendi ynë është i gatshëm që në rast se i kërkohet nga Gjykata e Hagës, të pranojë në burgjet shqiptare persona të dënuar për krime lufte në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Me 81 vota pro dhe 1 abstenim, parlamenti miratoi marrëveshjen që u nënshkrua në 19 shtator të këtij viti nga ambasadori i Shqipërisë në Holandë dhe nga Sekretari i Gjykatës së Hagës.
Shqipëria u bashkohet kështu 16 vendeve evropiane që e kanë nënshkruar këtë dokument.
Sipas marrëveshjes, Shqipëria gëzon të gjitha të drejtat për të kërkuar që të burgosurit serbë, të dënuar nga Haga për krime lufte në ish-Jugosllavi, të vuajnë dënimin në burgjet e saj.
Nënshkrimi i marrëveshjes shkaktoi reagimin e Beogradit.
Zyrtarë të lartë serbë shprehen shqetësimin se gjendja e burgjeve në Shqipëri është problematike.
Zyrtarët e Tiranës nuk i kanë mohuar problemet me sistemin e burgjeve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mbipopullimin, por kanë thënë se po bëjnë përpjekje për përmirësimin e kushteve.
...