Petrovic kundër ndarjes

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, ka deklaruar se ndarja e Kosovës do të ishte e dëmshme për serbët në Kosovë dhe se me këtë do të humbte edhe vet Serbia.
“Ideja për ndarjen e Kosovës me Shqipërinë mbështet politikën e forcave djathtiste, të cilat i përfaqëson Vetëvendosja e Albin Kurtit”, i ka thënë ai gazetës “Vesti” të Frankfurtit, të cilën e transmeton B92.
Petrovic vlerëson se ky skenar është i pamundshëm, para se gjithash se nuk do ta lejojnë “ata të cilët kanë organizuar bisedimet Beograd-Prishtinë”.
“Ndarja nuk shkon në favor të bashkësisë serbe, por vetëm i bën dëm të madh asaj, sidomos serbëve që jetojnë në jug të Ibrit, dhe të cilët vetëm sa mund të marrin me mend se çfarë fati i pret sipas këtij skenari”, thekson Petrovic, dhe shton se “me të, vetëm Serbia humb, madje shumë”.
“Kur një herë të fillojë të zbatohet ky parim i ndarjes, në të njëjtin moment do të manifestohej edhe në jug të Serbisë, por edhe më gjerë në rajon. Idetë e tilla i kanë vlerësuar të rrezikshme edhe Brukseli, edhe Washingtoni”, ka thënë ai.
Sipas fjalëve të tij, ideja për ndarjen e Kosovës vetëm sa ngushton hapësirën për bisedime.
“Nuk e di se e kujt është kjo ide, kur edhe ata që organizojnë takime ndërmjet Prishtinës e Beogradit rrëqethen nga deklaratat e tilla. Mendoj, fatmirësisht, se këtë askush nuk e ka marrë me seriozitet. Madje as në Shqipëri. Atje njerëzit kanë në agjendë anëtarësimin në BE, dhe nuk dëshirojnë as ta marrin me mend një gjë të tillë. Ajo që është më e habitshme në gjithë këtë tregim është se Beogradi me deklaratat e tilla mbështet idetë e opsioneve politike të skajshme dhe parimet programore të Vetëvendosjes, në krye të cilës është Albin Kurti”, ka thënë Petrovic.