Arrestohen edhe dy zyrtarë të NLB-së për vjedhje
Dy punëtorë të bankës NLB në Gjilan, janë arrestuar me dyshim të keqpërdorimit të shumës së 55 mijë eurove të një klienti të bankës.
Policia e Kosovës, njofton se arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin e bazuar se ata kanë kryer veprat penale shpërdorim i pozitës zyrtare, ose i autorizimit, neni 339, përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës, neni 340 si dhe Falsifikimi dokumentit zyrtare neni 332.
Personat e arrestuar janë Ramiz S., lindur më 1948 dhe Filloreta J., e lindur më 1982
Të dyshuarit, zyrtarë përgjegjës të bankës NLB-Gjilan kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke dëmtuar klientin R. M. lindur më 1948 në vlerë prej 55.000.00 (pesëdhjetë e pesë mijë euro).
Të dyshuarit në bashkëveprim kanë shkelur me vetëdije të plotë dispozitat ligjore dhe të afatizimit bankar të të dëmtuarit, duke vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me ç’ rast në këtë mënyrë të dyshuarit në bashkëveprim kanë keqpërdorur llogarinë bankare dhe mjetet e klientit R. M.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë nё qendrën e ndalimit nё Gjilan, ndërkohë që ende janë duke u zhvilluar hetimet aktive.