E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alterteksti, udhëzim i ri për tekstet shkollore

Takimi

Specialistët mblidhen së bashku për të diskutuar mbi ndryshimet që do të pësojë reforma e Altertekstit.

Ministria e Arsimit dhe Fondacioni Soros organizuan tryezën e diskutimeve me temë “Përmirësimi i reformës së Altertekstit, duke “kryqëzuar” mendimet me përfaqësues të vlerësimit të teksteve, të shtëpive botuese, të autorëve të teksteve, të drejtorëve të shkollave, të kryetarëve të komisioneve lëndore. Këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, prezantoi ndryshimet që janë bërë në reformën e teksteve shkollore. Sipas tij, në ndryshim nga vitet e shkuara, udhëzimi i ri rezervon më tepër kohë në dispozicion për autorët e teksteve dhe për vlerësuesit e tyre. Janë përcaktuar rregulla më të qarta për komisionet vlerësuese, janë shtuar filtrat dhe kontrolli për mënjanimin e teksteve të dobëta, ndërsa ka një politikë të veçantë për shpërndarjen e librave mësimorë, për tekstet e emigrantëve dhe minoriteteve, çka këto të fundit do të financohen njëqind për qind nga MASH.

Në tryezë, një vend të veçantë debati, pati edhe për tema të tilla si procedura e hartimit dhe miratimit të programeve, procedura e ndërtimit të partneritetit MASH – shtëpi botuese dhe autorë, procedura e hartimit të teksteve, procedura e vlerësimit dhe certifikimit të teksteve, procedura e përzgjedhjes së teksteve në shkolla, shpërndarja e librit deri tek nxënësi dhe procedura e rishikimit të cilësisë së programeve dhe teksteve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›