E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Sheshi Skënderbej, peng i qeverisë

Kryebashkiaku sqaron se nuk janë akorduar ende fondet e shpronësimeve Pritet fillimi i rikonstruksionit të rrugëve, ku do të zhvendoset trafiku i qendrës

Punimet në sheshin qendror të kryeqytetit, atë “Skënderbej”, sipas kryebashkiakut të Tiranës po mbahen peng nga ana e qeverisë qendrore, e cila nuk po akordon fondin për shpronësimet e segmentit të fundit të Unazës së Vogël. Ky segment konsiderohet si përmbyllësi i rrugëve në të cilat do të zhvendoset trafiku që aktualisht është i përqendruar në sheshin “Skënderbej”. Ndërkohë që drejtuesit e Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur se pritet që shumë shpejt të fillojë puna për rikonstruksionin e rrugëve të tjera, në të cilat do të spostohet trafiku për fillimin e punimeve në sheshin “Skënderbej”.

Dje kryebashkiaku Rama kishte si mysafirë në institucionin që drejton një grup nxënësish të një shkolle private. Pasi i ka shëtitur nëpër bashki, më pas Rama i ka ulur ata në sallën ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit Bashkiak në vend të këshilltarëve të djathtë e të majtë dhe aty u ka “shpjeguar” pse sheshi “Skënderbej” nuk po rikonstruktohet, pavarësisht se fondet për të janë dhënë nga qeveria e Kuvajtit dhe jo nga ajo shqiptare.

Megjithatë, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë nën varësi edhe drejtimin e pushtetit vendor, shprehen se për këtë çështje problemi nuk qëndron te fondet por te një objekt që gjendet në fund të segmentit të Unazës së Vogël. Sipas tyre, bëhet fjalë për godinën e INSIG-ut, për të cilën nuk është marrë ende një vendim a duhet të prishet për të lejuar ndërtimin e rrugës, apo të negociohet për devijimin e këtij segmenti. Dhe historia vazhdon pa pasur një zgjidhje.

Më tej, kryebashkiaku Rama u ka treguar këtyre nxënësve edhe për planin e ri rregullues të Tiranës, për vendin që do të zënë shumë ndërtime të reja të programuara në planin urbanistik. Por ata janë njohur edhe me disa nga projektet e fundit që pritet të ndërmarrë Bashkia e Tiranës, menjëherë pas miratimit të pritshëm të buxhetit për vitin 2010, por edhe atij afatmesëm 2010-2012.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›