E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Ligji mbi SHISH të diskutohet me opozitën

Kërkesa Deputeti socialist kërkon mosmiratimin e nismës

Partia Socialiste iu rikthye dje çështjes së ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, duke kërkuar që Kryeministri të hapë një diskutim me opozitën dhe shoqërinë civile. Deputeti Eduard Shalsi tha dje në një komunikim me mediat se PS është e vendosur që të mbrojë institucionet demokratike. “Partia Socialiste është e vendosur të mbrojë me çdo mjet demokratik institucionet e pavarura, ndaj dhe e paralajmërojmë Sali Berishën të heqë dorë nga skenari satanik i uzurpimit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe i rikërkojmë vendosmërisht që këtë ligj të rëndësishëm ta bëjë pjesë të një diskutimi të hapur dhe transparent me opozitën, shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi ai. Sipas Shalsit, Berisha ka dhënë prova se SHISH e sheh si një institucion që kërkon ta kontrollojë. “Provuam me fakte se si në një mbledhje të mbyllur dhe tinëzare kukullat e Komisionit Parlamentar të Ligjeve miratuan projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, që dëshmon edhe një herë kokëfortësinë e mbrapshtë të Sali Berishës për ta shndërruar këtë shërbim nga një institucion të pavarur në një vegël në duart e tij. Ky njeri ka dhënë prova të qarta dhe të mjaftueshme se nuk niset nga nevojat e interesit të përbashkët dhe publik dhe ndaj nuk e ka parë dhe nuk e sheh Shërbimin Informativ si një institucion të pavarur, në shërbim të interesave vitale kombëtare”, nënvizoi Shalsi. Sipas PS-së, Berisha është një njeri antidemokratik dhe nuk heq dorë asnjëherë nga ambiciet antikushtetuese. “Nga njëra anë, deklaron me fjalë, se është i gatshëm të dialogojë me opozitën për interesat madhore të Shqipërisë, nga ana tjetër me vepra demonstron katërçipërisht se ai nuk mund të kontrollojë instinktet e tij antidemokratike dhe as që ka ndërmend të heqë dorë nga ambiciet e tij antikushtetuese, për të gjunjëzuar dhe vënë nën kontroll të gjitha pushtetet dhe institucionet e pavarura”, vijoi ai. Pamë këto ditë një tjetër Sali Berishë, deklaroi Shalsi, që përpara delegacionit të lartë të Këshillit të Europës, kishte nxjerrë nga sirtarët maskën e njeriut të moderuar dhe tolerant, gjë që ai e bën sa herë ndodhet në situata të vështira, që i ka shkaktuar vetë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›