E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Kore do ekstradohet drejt SHBA-se

Gjykata e Rrethit Tiranë, vendosi sot që të pranojë kërkesën e autoriteteve policore amerikane dhe të drejtësisë së SHBA për të ekstraduar biznesmenin shqiptar, Altin Kore.

Sipas burime zyrtare nga gjykata e Shkallës së Parë të kryeqytetit, avokatët mbrojtës të të dyshuarit Kore e kundërshtuan vendimin e gjykatës dhe deklaruan se do ta apelojnë atë në shkallët e tjera të gjyqësorit shqiptar.

Edhe vetë i pandehuri e ka kundërshtuar vendimin duke deklaruar se ai e konsideronte të papranueshëm ekstradimin në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë në fund të seancës së sotme, gjykata e pranoi kërkesën e palës amerikane dhe njëherazi edhe të prokurorisë shqiptare për të ekstraduar biznesmenin.

Altin Kore akuzohet për trafik droge ne bashkëpunim me disa shtetas kolumbianë, në SHBA.

35-vjeçari Kore u arrestua në muajin qershor në Rinas, pak pasi zbriti nga një çarter pasi ai po kthehej nga disa ditë pushime në Antalia të Turqisë.

Një fletëarresti e Interpol Uashingtonit solli arrestimin e të kërkuarit, i cili njihet si pronar edhe i një picerie të ish-Bllokut në Tiranë.
"Arrestimi i shtetasit Altin Kore është bërë për arsye se nga kontrolli i bërë në sistemin TIMS rezulton se ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Uashingtoni, më datë 3 mars 2011, pasi Gjykata e Teksasit në SHBA ka lëshuar urdhër-arrest për të", ishte informacioni i dhënë nga policia.

Altin Kore akuzohet se është një ndër drejtuesit e një grupi të fuqishëm në shpërndarjen e drogës në Dallas të SHBA-ve. Sipas policisë amerikane, Kore jo vetëm furnizonte Dallasin me kokainë, por siguronte sasi të mëdha kokaine për mafian italiane të Camorra-s.
Sipas urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet amerikane, mbi Koren rëndojnë akuza, si "bashkëpunim me synim shpërndarjen e kokainës","armëmbajtje pa leje, në vijim të një krimi për trafikim lëndësh narkotike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›