E Diel, 1 Nëntor 2026

Gomonia shqiptare me 35 emigrantë klandestinë kapet në brigjet italiane

“Guardia di Finanzia” ka arrestuar dhe skafistin, i cili është identifikuar si Albert Alliu nga Vlora Në mjetin lundrues kishte klandestinë nga Pakistani, Irani dhe Afganistani. Kishin paguar mijëra euro

Artan CENA
LEÇE - Një gomone me 35 emigrantë klandestinë, e cila ishte nisur drejt Italisë nga Shqipëria, është ndaluar mëngjesin e djeshëm nga Guardia di Finanzia në brigjet e Leçes. Në këtë mënyrë është rikthyer sërish trafiku i klandestinëve nga vendi ynë në drejtim të vendeve të tjera. Siç është bërë e ditur nga Policia italiane, mjeti lundrues është identifikuar kur ishte rreth 10 milje larg, në Jug të brigjeve të Santa Maria di Leuça në Leçe. Mediat e shtetit fqinj, duke iu referuar Guardia di Finanzia-s thanë se mes të arrestuarve është dhe skafisti, i cili është shtetas shqiptar me emrin Albert Alliu, 29 vjeç, nga Vlora. Mjeti detar është ndaluar në kuadër të mbrojtjes së brigjeve salentine për të ndaluar trafikun ilegal. Skafisti shqiptar është ndaluar pasi është vënë në ndjekje nga policia, por nuk është bërë i ditur emri i të arrestuarit. Klandestinët janë të kombësive të ndryshme. Pasi janë ndaluar ata janë dërguar në kazermë për të bërë modalitetet e identifikimit.
Operacioni
Këtë herë ishte një ngarkesë me njerëz që vinin nga vende që janë në luftë civile ajo që po transportohej me një gomone në det, që e drejtonte shqiptari Alliu. Mjeti lundrues është përpjekur që t’u shpëtonte radarëve të Guardia di Finanzia-s, por nuk ka mundur dot. Kur ka qenë vetëm 10 milje larg nga bregu është pikasur dhe më pas ndaluar. Shqiptari që drejtonte gomonen është ndaluar dhe tani ndodhet në qelitë e burgut të Galipolit. Mjeti lundrues është pikasur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pak para se të mbërrinte në brigjet salentine, sinjali i saj është kapur nga patrullat tokësore dhe ajrore të Guardia di Finanzia-s, që patrullojnë vazhdimisht brigjet përballë Shqipërisë. Patrullimet 24-orëshe kanë nisur muaj më parë, me qëllim parandalimin e trafikut të klandestinëve dhe lëndëve narkotike. Policia italiane tha se deti mes dy brigjeve është përdorur prej shekujsh për tregti të ndryshme, të ligjshme dhe të paligjshme.
Gomonia
Mjeti lundrues i bllokuar nga Guardia di Finanzia është një gomone oqeanike me dy motorë “Suzuki” 250 kuaj fuqi njëri. Ajo është ndaluar në mes të detit rreth orës 5 të mëngjesit. Gjatë kontrollit brenda saj janë gjetur emigrantë klandestinë të kombësive të ndryshme, që po përpiqeshin të arrinin Italinë pasi kishin paguar shuma të konsiderueshme parash. Sinjalizimi është marrë rreth orës 3 të mëngjesit dhe po drejtohej drejt Italisë. Në gomone ndodheshin klandestinë të ardhur nga Pakistani, Irani dhe Afganistani. Guardia di Finanzia e ka mbajtur nën vëzhgim për disa kohë dhe më pas, kur ajo është afruar në breg, është vendosur që të ndërhyhet. Pasi janë ndaluar, klandestinët janë transportuar me mjetet e Guardia di Finanzia-s për në Kuesturën e Galiopolit, ku janë identifikuar. Policia ka marrë emrat e tyre dhe më pas i ka dërguar në një qendër pritjeje refugjatësh. Mes tyre ishte dhe skafisti shqiptar, i cili është munduar që të hiqej si emigrant klandestin. Pasi është identifikuar ai është vënë në pranga.

Pranga dy vëllezërve, kërkoheshin prej tre vitesh për vrasje

DIBËR - Dy vëllezër janë vënë në pranga nga Policia e Dibrës pasi ishin të kërkuar prej tre vitesh për një vrasje të kryer në Greqi. Mëngjesin e djeshme Policia e qarkut të Dibrës ka bërë të ditur se ka arrestuar Afrim dhe Asqeri Kazain. Ata akuzohen për vrasjen e Ilir Kajës. Burimet e policisë thanë se arrestimi i dy të dyshuarve, të moshave 34 dhe 43 vjeç, është bërë gjatë operacionit të koduar "Ndëshkimi". Dy të arrestuarit, Afrim e Asqeri Kazai, akuzohen se në datën 25 tetor të vitit 2007 kanë vrarë në Greqi emigrantin shqiptar Ilir Kaja dhe kanë plagosur shqiptarin tjetër Rasim Kaja. Që pas kryerjes së krimit dy vëllezërit, emigrantë në shtetin helen, ishin larguar dhe kishin humbur gjurmët. Por disa ditë më parë, Policia e Dibrës kishte marrë disa informacione se të kërkuarit ndodheshin prej disa kohësh në një banesë në fshatin Serian. Mëngjesin e djeshëm është organizuar dhe aksioni për kapjen e tyre. Ata janë kapur në befasi dhe nuk kanë bërë rezistencë gjatë arrestimit. Menjëherë dy vëllezërit Kazai janë dërguar në qelitë e Komisariatit të Peshkopisë, ku janë marrë në pyetje për ngjarjen e tre viteve më parë. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për hetime të tjera.

Marrëdhënie seksuale pa dëshirë, vihet në pranga i riu

DURRËS - Një djalë 22-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte denoncuar pranë saj për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë nga një e mitur. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga burime zyrtare të Policisë së Durrësit. Sipas tyre, i ndaluari është 22-vjeçari Fundim Smoqi, lindur e banues në fshatin Pjezë të Shijakut, me arsim vetëm 8 klasë, i padënuar më parë. Mësohet se denoncimi ndaj tij u krye nga një 14-vjeçare, banuese në një nga fshatrat e Durrësit, e cila ka deklaruar për uniformat blu se prej disa muajsh ka pasur lidhje dashurie me 22-vjeçarin. Sipas saj, i arrestuari, duke përfituar nga mosha e vogël e saj, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirë me të. Denoncimi ka ardhur kur vajza nuk ka dashur më të kishte një lidhje me Smoqin. Ajo ka shkuar në polici dhe e ka kallëzuar atë. Menjëherë uniformat blu kanë nisur kërkimet për gjetjen e të riut, i cili është vënë në pranga mbrëmjen e dy ditëve më parë. Policia tha se dosja me materialet procedurale për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur” i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›