Procesi gjyqësor, tragjedia e Gërdecit, punonjësit e MEICO-s shpjegojnë hartimin e kontratave
TIRANË - Procesi për Gërdecin vijoi sërish dje me dëshmitë e ish-punonjësve të MEICO-s. Dëshmitarët sqaruan pozicionin e punës dhe procedurat që janë ndjekur për futjen e municionit dhe daljen e tij nga fabrika. Anastasi Dhimitri dhe Jusuf Deliu ishin dëshmitarët e paraqitur në procesin kundër të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit më 15 mars 2008. Sekretarja e kompanisë shtetërore “MEICO”, Anastasi Dhimitri, është marrë me protokollimin e shkresave, të cilat, sipas saj, kanë rezultuar në rregull. Por ka pasur edhe një moment ngërçi kur Ylli Pinari ka mbajtur vulën e madhe të institucionit dhe nga korriku 2007 deri në janar 2008 ka pasur probleme me protokollimin. Ajo sqaroi se pas një kërkese të bërë nga Pinari, e ka kthyer vulën dhe më pas puna ka vazhduar normalisht. Ndërkohë, Jusuf Deliu, dëshmitari i dytë, ka thënë se është marrë me faturat e hyrje – daljeve të municioneve në fabrikë. Sipas tij, këto fatura janë bërë nga vetë magazinieri i kompanisë “MEICO”. Dëshmitari u shpreh se hyrja e municioneve behej nga depot, ndërsa dalja në emër të kompanisë “SAC”, pasi ishte nënkontraktuar nga Albademil-i. Janë një numër i madh dëshmitarësh, të cilët do të pyeten për të zbardhur tragjedinë nga e cila gjetën vdekjen 26 persona, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkaktuan dëme të mëdha në të gjithë zonën përreth. Këtë herë Shoqata e Familjarëve e ka drejtuar vëmendjen diku tjetër. Ata do të ngrenë një padi kundër Televizionit Shtetëror. Objekti i padisë është fshehje e të ardhurave të grumbulluara nga ky televizion pas tragjedisë për familjet e viktimave. Familjarët pretendojnë se të ardhurat e grumbulluara nuk kanë shkuar në destinacion. Megjithatë, gjithçka do të zbardhet pasi ekziston edhe një numër llogarie në një nga bankat e nivelit të dytë.
12 Qershor 2010