Reagimi, përdhunimi i 6-vjeçarit, KSHH e cilëson akt çnjerëzor
TIRANË - Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënon me indinjatë aktin e rëndë të përdhunimit të 6-vjeçarit nga Peqini, duke e cilësuar atë si “akt çnjerëzor”. Duke kërkuar hetim të shpejtë dhe të plotë për këtë ngjarje, KSHH thekson se vepra të tilla sjellin pasoja të rënda në jetën e të abuzuarit. “Vepra të tilla që mund të shoqërohen me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e viktimës, kërkojnë hetim të shpejtë, objektiv dhe të gjithanshëm, si dhe dënim të ashpër në përputhje me ligjin”, - thuhet në deklaratë. KSHH kërkon nga organet e policisë të marrin në mbrojtje familjen e fëmijës së abuzuar, të cilët ndjehen të kërcënuar pas ngjarjes. “KSHH u sugjeron organeve të policisë që të vlerësojnë seriozisht jo vetëm ankesën e tij të bërë publike, por ta verifikojnë atë duke vënë para përgjegjësisë ligjore çdo person që mund të ketë kanosur atë, pavarësisht nga format që mund të kenë përdorur”, - sqaron KSHH.
Gjendet i mbytur fëmija i humbur në Berat
BERAT - Është gjetur pa jetë 11-vjeçari i denoncuar i zhdukur tri ditë më parë. Trupi i të miturit është parë dje nga banorët e zonës së Fierit. Këta kanë gjetur trupin e pajetë të një fëmije dhe menjëherë kanë njoftuar policinë. Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për identifikimin e trupit të pajetë. Pas hetimeve të para është mësuar se trupi i pajetë ishte i Gjergj Kalemasit, banor i fshatit Poshnje, i cili ishte denoncuar si i zhdukur nga familja e tij. "Rrjedha e lumit e nxori fëmijën në Kallm të Fierit", - kanë bërë me dije burimet policore, të cilët kanë nisur edhe hetimet në vendin ku u gjet i mituri. Policia, pas denoncimit të prindërve, kishte filluar menjëherë kërkimet, të përqendruara kryesisht në lumin Seman, pranë urës së Kuçit. Që në fillim u tha se fëmija dyshohej të ishte mbytur në lumë. Denoncimi për zhdukjen e tij ishte bërë nga prindërit e të miturit, kur fëmija i tyre nuk ishte kthyer në shtëpi.
Shpallen të humbur, gjenden brenda 24 orësh
DURRËS - Gjenden brenda 24 orësh dy persona të denoncuar si të humbur. Policia e Durrësit tha dje se pas kërkimeve të kryera në bashkëpunim edhe me familjarët e të humburve, është bërë e mundur gjetja e të shpallurve në kërkim si të larguar nga banesa. Burimet zyrtare thanë se në orën 09:00 të ditës së djeshme është gjetur dhe shoqëruar Ardjan Ismailaj, 31 vjeç, banues në vendin e quajtur Katër Rrugët e Shijakut. Ky person ishte shpallur në kërkim dy ditë më parë nga mbesa e tij me inicialet E. E. Po ashtu, nga efektivët e Policisë së Durrësit është bërë e mundur dhe gjetja e Ermir Shullit, 16 vjeç, banues në Lagjen Nr. 15, Durrës. Për këtë adoleshent denoncimi ishte bërë nga babai i tij për largimin nga banesa e tij. Dosjet me materialet procedurale lidhur me dy rastet në fjalë i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
12 Qershor 2010