ICITAP dhuron pajisje terreni për Policinë e Shtetit
TIRANË - Dhurohen pajisje për Policinë e Shtetit nga misioni amerikan ICITAP. Programi i asistencës policore të qeverisë së SHBA-ve ka dhuruar pajisje të infrastrukturës operacionale dhe pajisjeve kompjuterike të instaluara në terren të sistemit TIMS. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ai e vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit në përmbushje të detyrave për liberalizimin e vizave me BE-në dhe shprehu bindjen për realizimin prej saj edhe të detyrave shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian. “Në procesin jetik dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë të heqjes së vizave, Policia e Shtetit ka kryer me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë detyrat e saj. Misionet e verifikimit do të jenë në gjendje që së afërmi të prekin realizimin me sukses edhe të kritereve shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian. Kapacitetet e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin korrupsionin, për të siguruar rendin dhe sigurinë nuk kanë qenë kurrë më të larta. Rezultatet janë premtuese, por sfidat e tejkaluara janë dhe mbeten shtytje për të vazhduar me guxim rrugën e përmbushjes së detyrave dhe sfidave të reja”, - tha Basha.
Ujësjellësi denoncon 20 abonentë për lidhje të paligjshme
TIRANË - Drejtori e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë dorëzoi dje në Prokurorinë e Tiranës 20 kallëzime penale kundër personave privatë që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit. Në këto 20 kallëzime penale, gjysma janë për lavazhet dhe subjekte të tjera private në kryeqytet. Seit Dollapi u shpreh në një konferencë shtypi se Ujësjellësi i Tiranës po përgatit dokumentacionin edhe për 30 kundërvajtës të tjerë. Sipas tij, denoncimi i kundërvajtësve që ndërhyjnë në rrjetin e Ujësjellësit në Tiranë ecën paralelisht me punën për pastrimin e linjave të transmetimit dhe shpërndarjes nga lidhjet e paligjshme. "Po kryhen investime ne pjesën e Shkozës, në zonën e Uzinës së Traktorëve, një linjë transmetimi, e cila bën të mundur nxjerrjen jashtë funksioni të 3 linjave të shpërndarjes që janë të amortizuara dhe të ngarkuara nga ndërhyrjet e paligjshme në rrjet", - tha zoti Dollapi. Kreu i UKT-së bëri të ditur se faturuesit që faturojnë qytetarëve më shumë ujë sesa konsumi real janë ndëshkuar me masa administrative, si largimin e tyre nga puna dhe rikthimin e vlerës së mbifaturuar për qytetarin e dëmtuar.
E zë poshtë vagoni me krom, plagoset minatori
BULQIZË - Aksident me pasojë plagosjen e një minatori ka ndodhur mesditën e djeshme në brendësi të minierës së Bulqizës. Siç mësohet nga burimet e policisë, 40-vjeçari Gëzim Llani ka marrë plagë të rënda pasi është zënë poshtë nga një vagon me krom. Mësohet se punëtori është në gjendje kritike për jetën, ndërsa është transportuar me urgjencë me anë të një helikopteri, drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve. Sipas të dhënave të para mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie. Janë duke u bërë verifikime për sigurinë gjatë punës së minatorëve.
12 Qershor 2010