E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala: Jemi 100 per qind te motivuar

/* */

Kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, do të luajë ndeshjen e tij të fundit zyrtare me Kombëtaren (e 79-ta me fanellën kuqezi, rekord), por mesfushori shkatërrues karizmatik do të varë këpucët në gozhdë pas ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin, që do të luhet në muajin nëntor në “Qemal Stafa”. Lala shprehet optimist për një rezultat pozitiv në ndeshjen me Rumaninë.
 
Lala, pas katër humbjeve rresht, a është ndeshja me Rumaninë për të hequr imazhin e keq që ka krijuar ekipi?
Shpresojmë të zhvillojmë një ndeshje sa më të mirë, aq më tepër për shkak të rezultateve negative që kemi pasur kohët e fundit. Nesër (sot) shpresojmë ta mbyllim me rezultat pozitiv. Natyrisht që edhe Rumania nuk është një ekip i vështirë, kanë lojtarë shumë të mirë. Ne duhet të kemi shumë impenjim për këtë përballje, pavarësisht se është ndeshja e fundit dhe shpeshherë ndeshjet e fundit nuk luhen me motivimin e duhur. Por ne në fakt jemi 100 për qind të motivuar: djemtë, trajneri kanë dëshirë të madhe ta fitojnë këtë lojë.
Në katër ndeshjet e fundit, më shumë faj i është dhënë trajnerit sesa lojtarëve. Në gjykimin tuaj, a kanë bërë gabime lojtarët që kanë qenë në fushë?
Jo, nuk mendoj se trajneri është fajtor për situatën. Nuk mund të vendosësh dorën mbi një njeri të vetëm. Futbolli është sport kolektiv. Ka pasur një sërë rrethanash që kanë qenë kundër si mungesat e shumta, gabimet individuale. Nuk po kërkojmë një emër të veçantë për ta shpallur fajtor, fitojmë dhe humbasim bashkë.
Loja jonë ka ndryshuar shpesh në ndeshjet e fundit, nuk jemi më ata të takimeve të para.
Mund të them që eliminatoret tona janë kondicionuar nga humbja në Luksemburg. Nëse do të kishim marrë ato tri pikë do të ishte çdo gjë pozitive dhe do të kishim pasur shanse të shumta për të kapur vendin e tretë në grup, kjo e shoqëruar me një fitore me Rumaninë. Futbolli është i tillë që të jep mundësi të korrigjosh, me një fitore kundër Rumanisë lëmë mbresa pozitive.
Çfarë përshtypje pate nga ndeshja me Francën?
Ndeshjen me Francën e filluam mirë u ndëshkuam nga gabime individuale. Kjo na ka ndaluar shpeshherë të marrim rezultate pozitive,  gabimet individuale. Golat u shënuan shumë thjesht.  Francezët nuk bënë ndonjë presion të jashtëzakonshëm për t’i shënuar ata gola. Ishte mëkat t’i pësonim ato gola.
Kemi vetëm 8 pikë nga 9 ndeshjet. A jemi jemi jashtë objektivit, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me Rumaninë?
Unë e kam thënë edhe më parë dhe kam ngrënë ndonjë kritikë nga mediat për këtë. Objektivi ynë ka qenë të linim prapa Bjellorusinë por po ta shohësh me detaje, kjo skuadër është më e mirë se ne nga ana individuale.

A është kjo ndeshja juaj e fundit?
Jo, do t’i jap lamtumirë Kombëtares në miqësoren me Azerbajxhanin. Kjo është e imja e fundit përsa u përket ndeshjeve zyrtare.
Barazuam 1-1 në Rumani. A na jep shpresa kjo ndeshje për fitore në Tiranë?
Çdo ndeshje ka historinë e saj. Jemi në gjendje që të marrim rezultat të mirë.
Skuadrës i rikthehen disa lojtarë, si ju dhe Bogdani. A ka më shumë optimizëm në skuadër?
Kam vite që luaj me Bogdanin. Ai ka shënuar gola të rëndësishëm. Shpresoj që dhe këtë ndeshje të shënojë.
Po largoheni nga Kombëtarja, a ju ngroh ajo që po lini pas?
Duhet të gjejmë lojtarët e duhur për të zëvendësuar ne që po ikim.
Zëvendësuesi im?
E gjen trajneri (qesh).
Kush mund të jetë pasardhësi juaj?
Kombëtarja nuk është pronë e imja, që t’ja lë dikujt pas meje, p.sh kam një tokë dhe ja djalit tim. Ka lojtarë të mirë, por ata duhet të punojnë shumë në klubet e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›