E Diel, 1 Nëntor 2026

Altin Lala “kërcënon” Riberinë

Jetmir Halilaj
Mjaftoi një ndërhyrje e Altin Lalës kundër francezit Riberi në ndeshjen Bajern-Hanover 3-0, që personazhe të famshëm të futbollit gjerman si Franc Bekenbauer, Uli Hënes, Rudi Fëler apo Stefan Efenberg t'i përvisheshin një debati të gjerë. Pjesa dërrmuese e tyre kritikuan kapitenin e Shqipërisë për atë veprim kundër Riberisë, por pati edhe nga ata si Efenberg që i dolën në krah mesfushorit shqiptar. "Megjithatë kjo nuk do të thotë që unë do të jem më tolerant me Riberinë, nëse do ta kem përballë të dielën, përkundrazi do të jem akoma më i ashpër me të", ka qenë batuta e Lalës. I kontaktuar nga "Panorama Sport" kapiteni i Shqipërisë ka folur në lidhje me një përplasje të mundshme të tij kundër Riberisë në ndeshjen që do të luhet të dielën mes Hanoverit dhe Bajernit të Mynihut. Lala ka shprehur konsideratën më të lartë për mesfushorin francez, por ka thënë se për të e rëndësishme është që të marrë pikë Hanoveri dhe për t'ia arritur kësaj do të bëhet edhe më i keq se herën e kaluar kundër Riberisë. Të dielën Hanoveri juaj do të luajë kundër Bajernit dhe ju mund të keni sërish përballë Riberinë... Këtu tifozët mezi po e presin këtë ndeshje, pasi Bajerni është ekip shumë i madh. Ne po përgatitemi maksimalisht, por nuk e di nëse Frenk Riberi do të luajë ose jo, sepse është i dëmtuar. Sipas gazetave, kam mësuar se ka 70% mundësi që ai të luajë. Nëse do të jetë në fushë, unë do të bëj të pamundur t'ia vështirësoj gjërat. Kur kam qenë i vogël nuk pyesja për vëllanë tim kur luanim futboll, madje më tepër nga të gjithë zihesha me atë, pasi ishim gjithnjë kundërshtarë. Riberi është lojtar i mirë, por nuk e kam as mik që ta kursej. Edhe nëse do bëheshit sërish objekt debati? Të kuptohemi, unë nuk kam asgjë personale me Frenk Riberinë. Kam dëgjuar se Riberi është në mëdyshje nëse duhet të luajë këtë javë apo jo, sepse është i dëmtuar. Unë do t'i sugjeroja të mos luante, sepse e garantoj se tek unë nuk ka ndryshuar asgjë. Jam po ai Altin Lala që isha edhe në ndeshjen e parë. Këtë radhë do të përpiqem të evitoj kartonin e kuq, me qëllim që ta bezdis gjithë ndeshjes. Më vjen keq që është shoku i Canës, por nëse vendos të luajë të dielën, ai duhet ta dijë se unë do të jem aty duke e pritur. Pak kohë më parë, ai ju ka cilësuar si lojtarin më të urryer në Bundesligë? Aq më keq për të. Unë personalisht mendoj të kundërtën. Ai është një nga yjet e Bundesligës dhe bashkë me Diegon janë dy lojtarët më të mirë në kampionatin tonë në atë rol. Më pëlqen si lojtar dhe e vlerësoj shumë. Është vërtet futbollist shumë i zoti. Madje, pyesni njëherë edhe Kristi Vangjelin se ai duhet ta dijë se sa i mirë është...(qesh). Pse pikërisht Vangjelin? I referohem ndeshjes në Kupën UEFA Bajern-Aris 6-0. Vangjelit iu desh të merrej me Riberinë gjithë ndeshjen. Dy ndeshjet e fundit jeni cilësuar si më i miri të Hanoveri. A ka ndryshuar ndonjë gjë në marrëdhëniet tuaja me trajnerin Heking? Trajneri e ka kuptuar se jam në formë shumë të mirë dhe po më aktivizon rregullisht. Për ca kohë ai mendoi të më zëvendësonte, duke aktivizuar ndonjë futbollist që ishte blerë me shumë marramendëse (Shulz 3.5 milionë euro), por më pas e kuptoi se unë mund të jap akoma shumë. Jam përpjekur t'ia bëj gjithnjë të vështira zgjedhjet dhe për momentin kam fituar vendin e titullarit. Në fillim të marsit do të vijë në Hanover për t'iu parë nga afër trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han? Kam dëgjuar për këtë dhe e përshëndes iniciativën e tij. Kjo është hera e parë që një trajner i përfaqësueses vjen të më shohë te klubi, por nuk ka asnjë problem, përkundrazi, unë do ta mirëpres vizitën e tij dhe shpresoj që të kem një takim me të. A ju vjen keq që në fillim takoi Canën që është zv/kapiten dhe pastaj do t'ju takojë juve që jeni kapiten i Kombëtares? Aboslutisht jo. Unë nuk vuaj nga komplekse të tilla. Ashtu e pa të arsyeshme dhe ashtu veproi. Nuk ka asgjë të keqe në këtë mes dhe nuk do të ishte normale që unë të mërzitesha për një gjë të tillë. Dinamo kryeson kampionatin, cili është komenti juaj si një ish- futbollist i "nëndetëses"? Më bëhet qejfi që ata janë në krye. Unë vazhdoj të jem dinamovit dhe shpresoj që ata të fitojnë kampionatin. Magazinieri Fatos Kademi duket se është njeriu me fat i tyre...qesh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›