Iniciohet liga rajonale e basketbollit

Skuadrat më të mira të basketbollit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi do të garojnë një kampionat rajonal të basketbollit. Kjo ide e Federatës së Basketbollit të Kosovës është përkrahur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, në një takim të zhvilluar në Tiranë mes tij dhe sekretarit të përgjithshëm të FBK-së, Isuf Lumi. Tashmë është gjetur edhe sponsori i këtij aktiviteti, që do të jetë kompania shqiptare e sigurimeve "Sigal Unica".
Me qëllim të konkretizimit të kësaj iniciative është vendosur që në fund të muajit mars në Tiranë të organizohet një takim mes presidentëve të federatave të basketbollit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Një tjetër kompeticion rajonal i skuadrave më të mira të Ballkanit (Serbisë, Kroacisë, Bosnjës, Sllovenisë e Malit të Zi) i njohur me emrin "Adria League" ka rezultuar shumë i suksesshëm pasi ka sjellë shumë rivalitet dhe me këtë edhe shikueshmëri më të madhe të ndeshjeve të basketbollit.