Nallbani: Dinamo? Kemi shumë shanse për tri pikët

Tirana është e përqendruar totalisht për derbin me Dinamon edhe pse dje ka zhvilluar takimin e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë me Lacin, të përfunduar 1-1. Për bardheblutë ka qenë një ndeshje testuese në prag të supersfidës me blutë, të cilët kryesojnë bindshëm kampionatin.
Diferenca mes dy rivaleve është plot 9 pikë, por nuk duhet harruar fakti se ka qenë Tirana ajo që i ka shkaktuar humbjen e dytë në këtë sezon bluve (2-0). Sipas portierit titullar të skuadrës, Blendi Nallbani edhe në ndeshjen e së shtunës skuadra e tij i ka të mëdha shanset të arrijë një tjetër fitore, e cila do ta afrojë edhe më tepër me kreun.
"Po vazhdojmë përgatitjet maksimale për ndeshjen derbi me Dinamon me besimin se do të marrim maksimumin prej saj. Natyrisht që është një sfidë e fortë mes rivalësh, por Tirana i ka të gjitha shanset të fitojë. Mendoj se ndeshja e parë që përfundoi në favorin tonë nuk ka të bëjë aspak me ndeshjen e ardhshme, pasi i takon disa muajve më parë. Vlen të theksohet vetëm fakti se në të tilla përballje nuk vendosin gjendjet e skuadrave në tabelën e klasifikimi për episodet dhe impenjimi i skuadrave".
Burimi: Gazeta Sporti