E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Vata: “Lojtarët e rinj janë robotë”

Gjatë 18 viteve 36-vjecari Fatmir Vata luan në futbollin profesionist. Të premten në mbrëmje, skuadra e tij, Tus Koblenz do të përballet me St. Paulin në "Stadion Oberweth" (ora 18:00) në ndeshjen e vlefshme për javën e 20 të Bundesligës së dytë gjermane.
Mesfushori i avancuar shqiptar, i cili do të luajë nga minuta e parë (Gjokaj gjithashtu, Kuqi në stol), dha një intervistë të gjatë për gazetën gjermane "Hamburger Morgenpost" (MOPO), ku flet për formën e tij, tifozët dhe objektivat.
Edhe pse vitet rëndojnë mbi supet e një futbollisti, Vata, një ambicioz i jashtëzakonshëm, nuk e lejon veten që të kalojnë të rinjtë. "Unë stërvitem po aq fort sa ata. Gjenerata e re ka natyrisht talent, por janë gjithashtu pak të plogët", - thotë Vata, i cili ka shënuar gjatë këtij sezoni 1 gol dhe ka dhënë 5 asiste, ndërkohë që numri i tij i golave në Bundesliga 2 ka shkuar në 26 (në Bundesliga 1: 8 gola).
Futbolli modern po vuan edhe nga tipat e vërtetë të lojtarëve, ata që me personalitetin e tyre në fushë i japin edhe më shumë vendosmëri dhe frymëzim lojës. "Sigurisht që mungojnë të tillë", - thotë Vata, karriera e të cilit nisi në Shqipëri, fillimisht me Burrelin për të vazhduar me Tiranën.
"Basler, Mateus apo Efenberg ishin të tillë. Edhe Kahn, gjithashtu. Lojtarët e rinj profesionistë janë më shumë robotë", - shton Fatmiri, i cili thekson se në futboll, shpesh herë ndikojnë edhe emocionet. "Futbolli nuk është shah, është thjesh futboll".
Vata, i cili ka luajtur më parë edhe në Kroaci me katër skuadra kroate (Orijent Rijeka, Slaven Belupo, Maribor dhe NK Vukovar), është lojtari që ka marrë më shumë faulla, madje konsiderohet edhe si "mbret i dallëndysheve". "Unë jam lojtari që ka marrë më shumë faulla, sic edhe Diego tani. Shpesh qenë faulle, por edhe unë kam rënë ndonjëherë pak lehtë".
Ish-lojtari i Kombëtares është fishkëllyer pa mëshirë nga tifozët kundërshtarë, por për Vatën kjo përkthehet ndryshe: "Për këtë unë jam krenar. Nëse unë do të isha një lojtar i keq, kjo do të ishte për njerzit njësoj. Në Dortumund më fishkëllyen 75 mijë tifozë. Por, pas ndeshjen tifozët erdhën te unë dhe më thanë: Fatmir, luaj ende për ne".
Edhe pse në një moshë të madhe për një futbollist, i cili konsumon shumë energji në një kammpionat të fortë si Bundesliga, Vata ndihet i palodhur. Ish-lojtari i Arminia Bielefedit tregon dhe sekretin e tij: "Trupi im është si një makinë, kështu që mund të luaj në nivel të lartë gjithë vitin për ekipin".
Në ndeshjen e fazës së parë kundër St.Paulit, Vata ishte në tribunë. "Unë isha ndëshkuar me një gjobë disiplinore, pasi kisha vajtur me dhjetë minuta vonesë për të ngrënë paradrekën. U mërzita jo pak", - qartëson Vata, i cili shton: "Kundër St.Paulit në llogarisim vetëm tri pikët".
Dy ekipet, që zënë vendet 11-12 në renditje i ndan vetëm një pikë: St.Pauli 24, Tus Koblenz 23. Ndeshja e fazës së parë përfundoi 1-0 për St.Paulin.

Intervista per Hamburger Morgenpost

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›