Vllaznia, në Fier për t’u hakmarrë për humbjen në “Loro Boriçi”

Albania-Sport - Skuadra e drejtuar nga trajneri Mirel Josa, Vllaznia, është nisur që sot drejt qytetit të Fierit, ndërkohë që, nesër në orën 13:30, do të luajë përballë skuadrës vendase të Apolonisë, në stadiumin "Loni Papuciur". Ballafaqimi ndërmjet këtyre dy skuadrave paraqet mjaft interes për vetë faktin se ndeshja e luajtur në fazën e parë në stadiumin "Loro Borici" të Shkodrës për fazen e parë, është mbyllur me fitoren e skuadrës fierake me rezultatin 2-1.
Kapiteni i shkodraneve, Safet Osja, deklaroi sot se "Vllaznia shkon në këtë ndeshje pas një fitoreje shumë të rëndësishme me Partizanin, ndaj morali i skuadrës është shumë i lartë për të kërkuar një tjetër fitore në fushë të huaj, duke konfirmuar kësisoj pretendimin serioz për të marrë vendin e dytë në kampionat". Sipas tij, Vllaznisë nuk do t'i luajnë dy titullarë, Edmond Doci, i skualifikuar me tre kartona të verdhë dhe Nevian Cani, i dëmtuar që prej dy javësh.
Por, probleme dëmtimesh kanë edhe Bejzade, Vukcevic dhe portieri Grima. Megjithatë, kapiteni shkodran Osja, thotë se "edhe pse me këto mungesa, Vllaznia do të futet në fushë vetëm me një objektiv, atë të fitores, që do të na afronte shumë pranë vendit të dytë në renditje". Vllaznia mban hëpërhë vendin e tretë në renditjen e Kategorisë Superiore, me 34 pikë të mbledhura pas 20 ndeshjesh, dhe është vetëm një pikë prapa Teutës së vendit të dytë, por plot 9 pikë prapa Tiranës kryesuese.