E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, metamorfoza e detyruar e kuqezinje

Nga Algen Vrapi

Albania-Sport
- Një term, që nuk është autentik i botës së sportit, në fakt do të shkonte për futbollin kombëtar: tranzicion. Në futbollin kombëtar, e kemi fjalën për përfaqësuesen, tranzicioni po zgjat më shumë, po duket më i vështirë, se tranzicioni në ekonomi e në politikë, kur normalisht ky fenomen mund të mos ekzistonte për kombëtaren. Mbetet më pak se një muaj nga ballafaqimi i radhës për eliminatoret e Euro 2008-s. Tema e ditës për median janë replikat e kundërreplikat e trajnerit me pjesëtarë ose kandidatë për pjesëtarë të kuqezinjve. Pa bereqet, ose pothuajse pa bereqet. Përfaqësuesja shqiptare në futboll ka arritur në një pikë kritike dhe shenjat për të ardhmen, flasim për dy, katër apo më shumë vjet, janë për përkeqësim e jo përmirësim të gjendjes. E dyta: nga një fakt mund të dalim në një përgjithësim. Mërgim Mavraj, aspironte të luante për kuqezinjtë. Përfundimisht vesh fanellën e shpresave të Gjermanisë. Nesër, nëse Federata e Kosovës pranohet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit të Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA), djemtë kosovarë, padyshim do të nxitojnë të luajnë për kombëtaren e tyre. UEFA do t'i lejojë ta bëjnë këtë zgjedhje edhe nëse më parë kanë veshur fanellën e përfaqësueses së një shteti tjetër. Pra, edhe ky burim për të përzgjedhur kandidatë për kombëtaren shqiptare do të shterojë. Pra atëherë, do t'i thërrasim mendjes e të investojmë më shumë për talentet, për ekipet përfaqësuese zinxhir për të arritur te të rriturit. Por do të jetë shumë vonë. Boshllëku i krijuar prej vitesh e që vazhdon të thellohet, nuk do të mund të mbushet as për dy edicione europianësh e botërorësh bashkë. Ata që i bëjnë e përgjigjen për politikat e kombëtares së futbollit, si do t'u përgjigjen brezave të ardhshëm, "ishim në kërkim të talenteve nëpër Evropë"? Si do t'u përgjigjen mijëra fëmijëve që, në këto kushte që të ngjallin trishtim e keqardhje, ëndërrojnë për një të ardhme me fanellën kuqezi? Dhe flasin për ndjenja atdhetare, dhe nuk harrojnë të venë përpara emrit titujt shkencorë që vetëm sportit nuk i kanë hyrë kurrë në punë. Si do t'u përgjigjen dhjetëra mijë tifozëve të zjarrtë sot e nesër, "Ishim në tranzicion dhe po kërkonim talente në Evropë"? Nuk do të jetë alibi që lehtëson ndërgjegjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›