Zv/trajneri i kombëtares flet për ndeshjen kundër Sllovenisë, Duro: Të gjithë lojtarët do të shihen me “lupë”

Megjithëse ka edhe një muaj kohë deri në ndeshjen e radhës të kombëtares shqiptare për eliminatoret e Kampionatit Europian, takimi i 24 marsit kundër Sllovenisë, stafi teknik i përfqësueses me në krye trajnerin Oto Baric kanë filluar të mendojnë seriozisht për këtë sfidë dhe për futbollistët që do të thirren. Disfata ndaj Maqedonisë në miqësoren e 7 shkurtit e vendosën teknikun kroat në qendër të kritikave për formacionin që hodhi në fushë në atë takim ndryshe nga cfarë kishte deklaruar një ditë më parë. I pyetur për ato ndryshime që bëri papritur në formacionin anti-Maqedoni, Baric deklaroi se ishte ndikuar edhe nga disa presione që i ishin bërë nga futbollistë brenda kuqezinjve dhe që duheshin larguar nga skuadra. Këto kanë bërë që kroati bashkë me stafin e tij teknik të preokupohen që tani për ndeshjen e 24 marsit që është shumë e rëndësishme përsa i përket vazhdimësisë së kombëtares në këto eliminatore. Gjithashtu i gjithë stafi teknik është duke parë me vëmendje të gjithë lojtarët dhe formën që ata kanë si edhe talentet e rinj që pritet që disa prej tyre të bëjnë debutimin në takimin që do të luhet në stadiumin e Shkodrës, "Loro Borici". Për përgatitjet që po bën përfaqësuesja shqiptare për takimin kundër sllovenëve flet zv/trajneri i kombëtares, Shpëtim Duro, i cili deklaron se të gjithë lojtarët po "shihen" me lupë. "I gjithë stafi teknik i kombëtares është duke punuar në maksimum për ndeshjen e 24 marsit kundër Sllovenisë. Trajneri Oto Baric po i shikon të gjithë futbollistët e ekipit nëpërmjet televizorit në ndeshjet që ata zhvillojnë nëpër kampionate të ndryshme në Europë. Gjithashtu edhe zv/trajneri kroat, Slatko Kovacic i ka marrë detyrat dhe po vëzhgon me vëmendje disa lojtarë. Ai shkon nëpër shtetet të ndryshme dhe i ndjek nga afër ndeshjet që lojtarët luajnë me ekipet e tyre. Edhe unë jam duke parë me vëmendje lojtarët e kombëtares që luajnë në kampionatin tonë. Është shpejt për të deklaruar që tani se cilët futbollistë do të jenë në ndeshjen kundër Sllovenisë dhe cilët jo pasi ka edhe dëmtime që mund të ndodhin vetë një ditë përpara ndeshjes që mund të na penalizojnë shumë. I rëndësishëm është fakti që të gjithë lojtarët do të shikohen me vëmendje gjatë këtij muaji dhe forma që ata do të kenë" deklaroi zv/trajneri kuqezi Duro. Ky i fundit shprehet edhe për talentet e rinj dhe sidomos për fantazistin Jahmir Hyka që nga specialistët e futbollit është quajtur si e ardhmja e mesfushës së kombëtares. "Gjithashtu edhe talentet që kanë spikatur në zboret që ka zhvilluar trajneri Baric gjatë këtyre muajve të fundit do të shihen me vëmendje dhe do të vendoset më pas se cilët do të jenë të gatshëm për sfidën kundër sllovenëve. Përsa i përket mesfushorit fantazist Jahmir Hyka mund të them se është një talent i vërtetë. Jo pa qëllim tekniku Baric e thirri si në zborin e Antalias edhe në miqësoren me Maqedoninë ku për aq minuta sa u aktivizua besoj se bëri një paraqitje shumë të mirë. Besoj se ai do të grumbullohet edhe ndaj Sllovenisë pavarësisht se nuk luan me Olimpiakosin për shkak të shumë futbollistëve ekstrakomunitarë në skuadër. Gjithsesi ai stërvitet rregullisht me skuadrën cka i lejon të jetë në formën më të mirë sportive", ka thënë Shpëtim Duro për talentin, Jahmir Hyka.
Besar Bozgo